Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, thotë se kreu i Qeverisë, Albin Kurti duhet të merret me prioritet e Republikës së Kosovës.
Kastarti në një intervistë për Ekonomia Online, ka këshilluar Kurtin që të përkushtohet në prioritet që ka vendi.
Prandaj publikimin e letërkëmbimit nga ana e Kurtit, ndërmjet ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s Andres Fogh Rasmussen në vitin 2013, ai po e quan veprim politik.
Kastrati i cili në kohën kur u bë letërkëmbimi ishte komandant i FSK-së, thotë
se nuk e kupton çfarë ka dashur të arrij Kurti me publikimin e letrave të
tilla.
“Të gjitha këto që kryeministri i Kosovës e ka ndezur këtë temperaturë të them në këtë kohë të panevojshme, mendoj që është një lajm politik është një deklaratë politike, është për me arrit diçka çka ai dëshiron nuk e di, por unë kisha këshillua që z.Kurti të merret më shumë me prioritetet që i ka Republika e Kosovës të merret me ato detyra e mëdha që kanë me ardhur me kohë, e presin gjatë rrugëtimit të tij si kryeministër”.
Kastrati, më tej thotë se kjo nuk ka qenë një marrëveshje sekrete, siç e quan Kurti. Ai thotë se ndonëse nuk e ka parë marrëveshjen, ka qenë i informuar.
“Unë nuk e quaj sekrete edhe nuk ka qenë kurrë sekrete, për arsye që kjo marrëveshje nuk ka qenë marrëveshje ndërkombëtare, po ka qenë një dakordim i kryeministrit në atë kohë dhe shefit të NATOS në Bruksel që FSK-ja për arsye politike në atë kohë që mos të veprojë në veri pa një bashkëveprim edhe koordinim me NATO-n dhe me KFOR-in kuptohet me prezencën ushtarake ndërkombëtare këtu në Kosovë. Unë nuk e kam parë, por mu ka kumtuar përmes KFOR-it”.
“Edhe me ministrin kemi biseduar atëherë në atë kohë, që kjo marrëveshje
dhe ky dakordim i ish kryeministrit Thaçi dhe faktorit ndërkombëtar ushtarak
apo NATO-s në Kosovë, e kemi pranuar si detyrim tonin, unë personalisht si
komandant dhe për mua nuk ka qenë diçka çka unë kisha kërkuar me pa atë
dokument, sepse edhe nuk kam nevojë ta shoh se unë kam qenë uniform, kam qenë
njeri që jam obligative si t’i përmbush të gjitha detyrimet që dalin nga
institucionet e Kosovës. Në atë kohë unë, por edhe sot komandanti nuk ka
komunikim të drejtpërdrejt me kryeministrin por ka komunikim përmes ministrit”,
tha ai.
Kastrati ka shtuar se FSK-ja asnjëherë nuk ka operuar në veri pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Ne jo vetëm 2013 e tutje, por edhe përpara sa kemi qenë edhe FSK-ja edhe TMK-ja kurrë nuk jemi shku me operuar në veri pa një koordinim me faktorin ndërkombëtar ushtarak. Kjo është për mua pak e teprume, bile shumë e teprume për arsye që kjo e kanë ditur të gjithë edhe sot e dimë të gjithë që FSK-ja apo Forca ushtarake tash e Kosovës nuk ka kapacitete me i kryer detyrat bazuar në mision që është mbrojtja e kufijve, por KFOR është përgjegjës për këtë punë dhe ne edhe sot nuk shkojmë ne veri”, tha ai për EO.
Sipas tij, me aprovimin e tri ligjeve vitin e kaluar që FSK-ja ka marr mandat ushtarak, kjo marrëveshje apo ky dakordim i ish-kryeministrit tash presidentit nuk vlen më.