Normalitetit të veri të vendit do të kthehet që nga e shtuna, po vlerëson ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Kastrati thotë në një intervistë për Ekonomia Online, se pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve kjo çështje do të zgjidhet dhe se KFOR-i do ta kontrollojë atë pjesë.
Por përkundër kësaj ai shprehet i bindur se me Serbinë do të jetë shumë problem, pasi nuk do t’i përmbahet asnjë marrëveshje, e sidomos asaj të reciprocitetit me targat.
“Fatbardhësisht me ndërhyrjen edhe të faktorit ndërkombëtar ky problem do të zgjidhet, KFOR është akoma përgjegjës për sigurinë dhe do ta kontrrollojnë atë pjesë të Kosovës dhe unë mendoj që nga e shtuna policët e rëndomtë dhe doganjerët do të kryjenë punën e vet dhe situata të normalizohet”.
“Prapë se prapë them me Serbinë do ta kemi shumë vështirë, sepse ata asnjë marrëveshje nuk i përmbahen, edhe kësaj marrëveshje të reciprocitetit nuk do t’i përmbahen, sepse aty dominojnë kriminelët, njerëzit që bëjnë veprime kriminale”.
Kastrati thotë se situata e tensionuar ka qenë shqetësim i madh për të si një gjeneral, duke shtuar se Qeveria nuk ka bërë studimin e dukur kur ka dërguar Njësinë Speciale në veri, por ka marrë një vendim të ngutshëm.
“Jashtëzakonisht e tensionuar dhe shqetësuese për neve qytetarët dhe për mua si gjeneral dhe ish-komandant sepse serbët nuk e kanë ndërruar këtë taktikë qysh nga vitit 1991 me këto bllokada të rrugëve e cila kjo i bën dëm të gjithë qytetarëve pa dallim, por më shumë serbëve të veriut”.
“Sa i përket situatës së sigurisë ne e dimë që Policia e Kosovë janë të bllokuar atje dhe nuk janë në situatë aspak të mirë dhe mendoj që fillimisht nuk është bërë një studim i mirë se a do duhej të veprohej me Njësinë Speciale apo do duhej të ishte me policinë normale, megjithëse mendoj që është veprim i ngutshëm”.
Ai shtoi serbët e Kosovës i kanë privilegjet më të mira në botë që i ka një minoritet, duke shtuar se provokimet kanë synim mbajtjen nën kontroll të situatës, raporton EO.
“Provokimet e serbëve nuk janë rastësi dhe që duan ta mbajnë në kontrroll krejt këtë situatë. Ata bëjnë gjoja kishe kujdesen për serbët e Kosovës, mirëpo për ta nuk ka nevojë të kujdesen pasi kujdeset Qeveria e Kosovës. Serbët e Kosovës i kanë privilegjet më të mira në botë që i ka një minoritet”.
Të mërkurën në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq derisa Kosova ka pranuar një dokument të tillë, pala serbe ende jo.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka njoftuar se negociatat do të vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën në veri.