Ish-komandanti i FSK-së: ShBA gaboi që përjashtoi FSK-në nga ‘Defender Europe’

Prishtinë | 30 Maj 2023 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.

Krejt kjo pasi Qeveria nuk përfilli kërkesat e amerikanëve sa i përket situatës në veri, e që kishin të bënin me tërheqjen e njësiteve policore nga tri ndërtesat komunale në veri dhe të kryetarëve të komunave nga ato objekte.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, tha ambasadori.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë për teve1.info se përjashtimi nga kjo stërvitje është hendikep i madh për FSK-në por që nuk i rrezikon aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Ky përjashtim nuk i rrezikon aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, mirëpo është shumë një hendikep i madh për Ushtrinë e Kosovës sepse ka qenë një mundësi e madhe sepse që një vit e gjysmë që ushtria e Kosovës ka marrë pjesë në planifikimin, përgatitjen e ushtarëve, oficerëve e nënoficerëve për me e zbatu këtë ushtrim, me marrë një eksperiencë shumë të madhe në planifikim dhe ekzekutim të ushtrimeve, me ndërtu ura në mes oficerëve, nënoficerëve e ushtarëve të NATO-s me ushtrinë e Kosovës, me marrë përvoja në përdorimin e pajisjeve dhe armatimeve moderne që i ka NATO-ja, faktikisht e ka hup një mundësi të madhe që ushtria e Kosovës dhe oficerët e saj me marrë këtë përvojë shumë të madhe, mirëpo jemi ku jemi, ne jemi të vegjël për me vendos diçka ndryshe nga amerikanët”, tha Kastrati.

Sipas tij amerikanët bën gabim me përjashtimin e Kosovës nga ky ushtrim, pasi sipas tij, nëse do të duhej të kishte sanksionim, kjo do të duhej të bëhej për politikanët.

“Mua po më vjen keq shumë që amerikanët e kanë ndërmarrë një hap të tillë sepse ushtria nesër do t’i nevojitet edhe NATO-s, edhe amerikanëve, nëse diku duhet që ushtria e Kosovës të merr pjesë në misione paqeruajtëse, humanitare apo të tjera. Mendoj që nuk kish dashtë që kjo të ndodhë të ushtria e Kosovës. Nëse ish dashtë që të ndërmirret ndonjë aksion, është dashtë te politikanët e jo te ushtria që jo vetëm neve por edhe aleatët i ka bë krenarë kudo që ka marrë pjesë në ushtrime, trajnime apo aksione humanitare. Mendoj që është një gabim i aleatit tonë, ShBA-së, që ka marrë këtë veprim ndaj ushtrisë së Kosovës”, përfundoi Kastrati.

E ambasadori amerikan Hovenier, ka thënë që po mendohet edhe të mirren masa të tjera ndaj Kosovës, pas mosbindjes ndaj kërkesave amerikane.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Të ngjashme