Ish-komandati i FSK-së: Hyrja ilegale e vaksinës në veri, cenim i integritetit të Kosovës

Prishtinë | 01 Jan 2021 | 09:50 | Nga Majlinda Ibrahimi

Ish-komandati i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati thotë se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, por e sheh si cenim të integritetit hyrjen ilegale të vaksinës kundër Coronavirusit në veri të vendit.

Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online, tha se pajtohet me deklaratën e komandantit të ri i KFOR-it, gjenerali italian Franco Federici, i cili vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme dhe se aktualisht nuk ka indikacione të trazirave të mundshme.

“Unë pajtohem me komandantin e KFOR-it që gjendja e sigurisë së Kosovës është stabile, nuk shoh ndonjë përkeqësim të situatës por unë e shoh problematike gjendjen në veri e posaçërisht me hyrjen e vaksinave, me hyrjen e mjekëve në thonjëza vazhdimisht të serbëve e shoh si problematike dhe e shoh si cenim të integritetit dhe sovranitetit të vendit dhe këtu institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej të jetë më sy çelë dhe do të duhej të angazhohet më tepër nëpërmes mekanizmave të sigurisë siç është Policia e Kosovës dhe Doganat e Republikës së Kosovës që të luftojnë këtë fenomen sepse vazhdimisht është duke u shkelur sovranitetit i Republikës së Kosovës”.

Sipas të dhënave jozyrtare, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nga Serbia kanë arritur nga rreth 50 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, ndërkaq rivaksinimi është caktuar pas tri jave, që nga pranimi i dozës së parë.

Për këtë, gjenerallejtënant Kastrati thotë se është për keqardhje mos ndërmarrja e masave nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që ndihmat nga Serbia të mos hyjnë pa leje ligjore nga Qeveria.

“Nuk them se ka qenë qëllimi i krijimit të trazirave por ata vazhdimisht janë duke provokuar institucionet e Republikës së Kosovës, janë duke e shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës nëpërmes këtyre, në thonjëza po them gjesteve humanitare, ose ndihmës që komunitetit serb në veri, sepse nuk do të duhej dhe nuk do të guxonin që ata të hyjnë në territorin e Kosovës pa marr leje, pa marr parasysh a është mjekësi apo është çështje tjera humanitare pa marr leje nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk po ndodh vetëm një herë, por në vitin e fundit të kësaj qeverie ka ndodhë disa herë dhe Republika e Kosovës s’ka reaguar asnjëherë dhe kjo është për keqardhje”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Tutje Kastrati thotë se faktori ndërkombëtar nuk ka nevojë të reagojë ndaj veprimeve provokuese të Serbisë, pasi kjo i takon Qeverisë së Kosovës ta bëjë atë.

“Kompetenca e institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-i si prezence ushtarake ndërkombëtare në Kosovë e ka mision për ruajtjen e kufijve, nëse cenohen kufijtë nga jashtë dhe sigurinë e qytetarëve nga brenda, si reagues i dytë pas Policisë së Kosovës, dhe nuk shoh që faktori ndërkombëtar duhet të reagoj por ne duhet të reagojmë si institucione, si Qeveri e Republikës së Kosovës, sepse ne jemi zot shpije këtu dhe ne duhet të reagojmë edhe të marrim masa që kjo të mos ndodhë dhe të mos përsëritet në vazhdimësi, siç është duke ndodhur”, përfundoi ai.

Të ngjashme