Ish-kreu i OSHP-së dënohet me tre vjet burg

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 14:01 | Nga

Hysni Hoxha, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit u dënua për shpërdorim detyre, pasi nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të KOSTT-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot Hysni Hoxhën, ish-kreun e Organit Shqyrtues të Prokurimit për shpërdorim detyre, me 3 vjet burg dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të ndonjë funksioni publik, pasi ai nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut, duke i vlerësuar ato të shqyrtuara më parë.

Më 21 qershor Hysni Hoxha u deklarua i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohej.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së, i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së me konkluzionin se është “res judicata”, pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014, shkruan Kallxo.com

Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme