Ish-kryediplomati kosovar: Politika e jashtme është shndërruar në “karikaturë”

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 12:58 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Karikaturë”, po e quan politikën e jashtme, Skender Hyseni, ish-kryediplomati kosovar që udhëhoqi këtë dikaster sa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) qeveriste me vendin.

Pavarësisht që vetëm rreth dy vjet zgjati mandati i kësaj qeverie, ish-ministri i jashtëm kritikon diplomacinë kosovare për mosefikasitet.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, në një intervistë për Ekonomia Online shpreh i zhgënjyer me përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Madje ai thotë se kur ai ishte ministër ambasadorët çdo ditë kanë marrë instruksione të shkruara të rreth qëndrimeve që duhet të mbahen për çështje të caktuara.

“Kur kam qenë unë ministër ambasadorët çdo ditë kanë marrë instruksione të shkruara të përditësuara rreth qëndrimeve që duhet të mbahen për çështje të caktuara sidomos siç është dialogumtarifa, anëtarësimi e shumë çështje të tjera, domethënë sepse plasimi i qëndrimeve diametralisht të kundërta për çështje të njëjta diplomacinë  e Kosovës politikën e jashtme të Kosovës e kthen në karikaturë dhe kjo është për keqardhje”.

Me veprimet që po bën ministria e Punëve të Jashtme, thotë Hyseni të jep përshtypjen që nuk ekziston fare, por shfajësohet duke ia hedhur fajin Serbisë.

“Është për keqardhje kur e kupton që ambasadorët nuk kanë instruksione të përditësuara se çfarë qëndrime duhet të mbajnë rreth çështjeve të caktuara, është e pafalshme nëse dy ambasadorë  të të njëjtit shtet kanë qëndrime të ndryshme ta zëmë rreth tarifës ose dialogut me Serbinë, dhe kjo për fat të keq po ndodhë, pra nuk ka një diplomaci konsistence sistematike nuk ka një plan-veprim aktiv diplomatik dhe shpeshherë kjo Ministri e Jashtme e jep përshtypjen që nuk ekziston fare, ngushëllohet duke e fajësuar Serbinë, thuajse ne do të duhej të prisnim që  Serbinë do ta kryente punën për ne”.

Përderisa numëron punën e mirë të bërë sa ishte ministër, ai pohon se për një kohë rekorde është arritur një numër shumë i madh i njohjeve dhe është bërë anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata të huaja.

“Të gjitha këto i them me keqardhje, unë jam themelues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës jam themelues i misioneve diplomatike prandaj më bën të ndihem keq sepse nuk ka qenë e lehtë të ndërtohet një institucion nga zeroja, në ditën  e parë të punës time si ministër i Jashtëm krejt çka kam pas në dispozicion ka qenë një laptop dhe vetën time asgjë tjetër asnjë punëtorë as zyrë asgjë”.

“…çdo gjë ka nisë nga zeroja është ndërtuar shumë brenda 2, 3 viteve janë hap mbi 20 ambasada e konsullata janë punësuar mbi 400 nëpunës e zyrtarë civilë e diplomat për një kohë shumë të shkurtër rekorde dhe është arritur një numër shumë i madh i njohjeve, është bërë anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtarë, në Bankën Ndërkombëtarë për Rindërtim dhe Zhvillim dhe shumë institucione tjera, është fituar bindshëm procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ku na ka dërguar Serbia”.

Sipas Hyseni është koha fundit kur krerët e institucioneve duhet që të merren vesh për qëndrimet që duhet të mbajnë për çështje të caktuara.

“Sidomos në mandatin e fundi unë shoh shumë indolencë shumë inkompetencë pazotësi për tu përballur me këto probleme aq madhore me të cilat Kosova përballet në skenën ndërkombëtare, qoftë anëtarësimi në organizma ndërkombëtarë në Interpol e UNESCO e shumë të tjera. Unë them që liderët shtetërorë  duhet të ulen dhe të dakordohen njëherë e mirë çfarë qëndrimesh do të mbajnë në botë për çështje të caktuara”.

Hyseni i tha Ekonomia Online se Kosova qëndron keq në planin e njohjeve. Prandaj sipas tij, Kosova duhet të përshtat luftën e saj diplomatike në raporte edhe me shtetet që janë indiferente dhe nuk iu interesojnë zhvillimet në Ballkan.

Ai më tej thotë se janë pikërisht këto vende që duhet të targetohen dhe duhet tu shpjegohet se dialogu me Serbinë ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet dy  vendeve e jo me vendosjen e statusit përfundimtar.

“Jemi keq në planin e njohjeve të shtetit, për ma tepër ka fjalë që ndonjë njohje është tërhequr, po e vendos në thonjëza sepse për mua nuk është  e njohur në praktikat ndërkombëtare tërheqja e njohjes apo çnjohja e një vendi, në praktikat ndërkombëtare janë të njohura, ngrirja e marrëdhënieve diplomatike dhe ngrirja e çdo lloj marrëdhënieve komunikimi, por jo njohja”.

“Kemi një bllok që është kundër pavarësisë së Kosovës Federata Ruse, Kina, India dhe e kemi bllokun tjetër që është shumëfish më i fuqishëm, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Itali, Gjermani e shumë shtete të  tjera që e përkrah fuqishëm pavarësinë e Kosovës, por është edhe grupi tjetër i vendeve që kanë një qëndrim indiferent, nuk lodhen shumë as pro as kundër dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës në veprimin diplomatik që është ky konstilacon dhe duhet të ia përshtatim luftën tonë diplomatike”.

“Ka vende në botë që janë tërësisht indiferente karshi zhvillimeve në Ballkan edhe në Kosovë dhe nuk lodhen shumë ta hulumtojnë gjendjen këtu dhe preferojnë komoditet indiferent, të presim çka po ndodhë. Janë pikërisht këto vende që duhet të targetohen dhe duhet tu shpjegohet gjendja se dialogu me Serbinë ka të bëjë me marrëdhëniet midis dy  vendeve, rruga uji telefoni rryma elektrike, çështjet e ndryshme edhe të karakterit teknik por me primesa politike, por gjithsesi nuk ka karakter të dialogut  për vendosjen e statusit përfundimtarë të Kosovës, sepse ai status është vendosur Kosova njihet nga më shumë se gjysma e shteteve të botës”.

Të ngjashme