Gjykata e Qarkut të Zagrebit shqiptoi dënimin jo të plotfuqishëm, ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader në rastin “Hypo” për marrje të ryshfetit dhe për përfitime lufte, duke e dënuar me 2.5 vjet burgim dhe të kthimit të vlerës që nuk i përket prej 3.6 milionë kuna kroate (480 mijë euro).
Gjykatësja e Gjykatës së Qarkut të Zagrebit, Jasna Galeshiç, e dënoi ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader me dy vjet e gjysmë burg dhe gjobë prej 480 mijë euro për marrjen e ryshfetit nga kredia e ndarë për Republikën e Kroacisë nga banka austriake Hypo.
Pasi që Sanader veprën në fjalë e ka kryer gjatë viteve 1994-1995 si zyrtar i Ministrisë së Jashtme kroate në cilësinë e zëvendësministrit të Jashtëm, ngarkohet edhe për përfitime lufte sepse Kroacia në atë kohë ishte në gjendje lufte, përcjell Express.
Sanader sipas aktgjykimit ka marrë ryshfet prej 3.6 milionë kuna kroate nga banka Hypo apo 5 për qind të shumës së përgjithshme të vlerës së kredisë të lëshuar për blerjen e objekteve për selitë diplomatike kroate.
Dënimi prej tre vjet e gjysmë burg ndaj Sanader ishte shqiptuar që në vitin 2012, por Gjykata Kushtetuese e anuloi aktgjykimin në vitin 2014.
Rasti “Hypo” është një nga gjashtë proceset që udhëhiqen në gjykatat kroate kundër ish-kryeministrit Sanader i cili u arrestua në vitin 2010.
Gjykatësja e njëjtë në Gjykatën e Qarkut sot do të marrë vendimin kundër Sanader-it edhe për procesin e dytë HEP-Dioki.