Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, ka reaguar pas publikimit në media të një afere korruptive, ku i përfshirë edhe ai dhe dy persona të tjerë.
Përmes një reagimi publik, Dërguti ka thënë se është i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, e sipas saj sipas tij, është ndryshe nga ajo që është paraqitur në media.
“Ne këto dy ditët e fundit nga mediumi Kallxo.com, janë publikuar emisione me video inçizime e fotografi, në të cilat kam qenë i përfshirë edhe unë, e të cilat janë marr në mënyrë të pa autorizuar!”, ka thënë ai, në një komunikatë për media të mërkurën.
“Duke e kuptuar ndjeshmërinë e rastit dhe i vetëdijshëm për përcepcionin e krijuar në publik pas këtyre publikimeve, ndjej për obligim që të ofrojë gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e kësaj çështje, e vërtetë kjo e cila është krejtësisht ndryshe nga ajo çfarë është tentuar të paraqitet!”.
Tutje, ish-kryeprokurori Dërguti ka thënë se aktualisht gjendet jashtë vendit për vizitë lidhur me disa kontrolla mjekësore të paracaktuara me herët, dhe sapo t’i përfundojë ato do të kthehet në Kosovë e të paraqitet vullnetarisht para organeve të rendit.
“Sapo të përfundojë kontrollet mjekësore, dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur do të kthehem në Kosovë, ku do të paraqitem vullnetarisht, menjëherë para organeve kompetente ligjzbatuese, me qëllim të sqarimit dhe ballafaqimit kundër të gjitha pretendimeve të ngritura ndaj meje dhe në emër timin, në përmbajtjen e këtij emisioni, dhe me qëllim që e vërteta të zbardhet deri në fund”.