Ish-kryetari i Gjilanit lirohet nga akuza e dyfishtë për të njëjtin rast

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 11:00 | Nga

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, është liruar nga akuza e dyfishtë për vepër penale.

Ai është hetuar dy herë nga Prokuroria për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit publiko-privat (PPP) me të cilën marrëveshje në vitin 2012 ishte themeluar ndërmarrja e përbashkët aksionare “Ecohigjiena”.

Me këtë marrëveshje hisedar në këtë ndërmarrje është partneri austriak që ka në pronësi 51 për qind të aksioneve, si dhe Komuna e Gjilanit si partner publik ka në pronësi 49 për qind të aksioneve, shkruan sot Koha Ditore.

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë në vitin 2017 ndaj Mustafës për marrëveshjen e PPP-së me gjithë që këto hetime ishin pushuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai akuzohej se në cilësinë e kryetarit të komunës në vitin 2012 në kundërshtim me Ligjin mbi partneritetin publiko-privat dhe pa sigurimin paraprak të pëlqimit nga Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat duke themeluar ndërmarrjen e përbashkët aksionare “Ecohigjiena”.

Mirëpo prokurori i çështjes, Shaban Spahiu, tash ka hequr dorë nga ndjekja penale e ish-kryetarit të Gjilanit duke e detyruar gjykatën ta lirojë atë nga akuzat. Ai arsyetohet se në kohën kur e kishte ngritur aktakuzën nuk kishte pasur njohuri se ndaj Mustafës kishte pasur hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilat hetime ishin pushuar në mungesë të provave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme