Ish-ministri britanez: Thjesht nuk ka asnjë dëshmi bindëse që mund të dënojnë Thaçin

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Ish Ministri britanez Denis Macshane, i cili ka shërbyer në qeverinë e kryeministrit Tony Blair, javën e kaluar morri pjesë në konferencën “Urat e Kujtimit”, organizuar nga organizatat “Liria ka Emër” dhe KIPRED.

Me këtë rast, Macshane është fokusuar edhe në gjykimin e Hashim Thaçit në Dhomat e Posaçme. Macshane e quajti Thaçin “një nga arkitektët më të suksesshëm të komunikimit politik të kohës së luftës i cili arriti të bindte median ndërkombëtare dhe madje edhe Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright të refuzonin propagandën shumë më të sofistikuar dhe më të financuar të regjimit serb”, megjithatë vendosi “vullnetarisht të dorëzohej para Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020.”

Ish-ministri Macshane, i cili kishte edhe karierë si gazetar dhe autor librash, akuzoi disa qarqe perëndimore për zhvillimet në Hagë: “Shpresa naive e disa qarqeve perëndimore se udhëheqësit kosovarë mund të viheshin në të njëjtin plan moral e juridik me skuadrat vdekjeprurëse të regjimit të Millosheviqit ka rezultuar një rrugë pa dalje”

Por përkundër meritave të Thaçit, Macshane pohoi se “që prej asaj kohe ai vazhdon të mbahet në paraburgim. Deri më sot nuk është paraqitur asnjë dëshmi bindëse apo dëshmi e besueshme që do të mund të çonte në dënimin e tij.”

Denis Macshane përfundon se “megjithatë, aq shumë është investuar në idenë se gjykatat ndërkombëtare, gjyqtarët, prokurorët dhe procedurat ligjore mund të sjellin mbyllje plagësh, pajtim dhe harmoni pas konflikteve të përgjakshme, saqë askush nuk duket i gatshëm të pranojë një të vërtetë të pakëndshme: Kosova rrezikon të mbetet një shtet i cunguar, për aq kohë sa Bashkimi Evropian vazhdon të tolerojë fiksionin se njohja e saj e plotë si shtet nuk është e domosdoshme.”

Të ngjashme