Ish-ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyçi, ka thënë se për vitin 2018/19 rishikimi i librave është bërë në mënyrë profesionale nga secila Drejtori Komunale, kurse në vitin 2019/20 janë përzgjedhur komision ekspertësh nga ana e Ministrisë së Arsimit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, Bytyçi ka thënë se është marrë numri i saktë i nxënësve nga secila drejtori komunale, në mënyrë që të porositet sasia e saktë. Ka thënë se ka pasur raste kur është tejkaluar buxhetit për shkak të ngritjes së çmimeve të teksteve shkollore.
“Atëherë nëse flasim për vitin 2018-2019, është ndjekë mënyra e sigurimit të tekstit me anë të shpalljes për blerjen e librave. Është marrë numri nga secila DKA, për numrin e saktë të nxënësve e më pas është porositur sasia e saktë. Mbi bazë të diskutimeve është përzgjedhur edhe çmimi. Nëse po flasim për vitin 2019-20 kur është bërë rishikimi i librave është bërë marrja e ekspertëve, dhe është formuar një komision prej 2-3 ekspertësh, dhe prej tyre është bërë rishikimi në mënyre profesionale. Ka pas momente që ka pas tejkalime të asaj që është parashikuar, ka pasur ngritje të çmimeve, por gjithmonë është rishiku buxheti. Në vitin 2019-20 ka pas shpenzime më shumë se që është planifiku buxheti. Edhe ligji ka qenë goxha i mirë i rregulluar në këtë aspekt”, tregon Bytyçi
Arsim Bajrami, ish ministër i Arsimit tregoi se në kohën sa ka qenë ministër ka pas reduktim të shpenzimeve për librat.
“Kam kërkuar një auditim të përformancës, pasi e kam marrë këtë auditim, ka filluar një proces i ri i porositjes së librave, ka pasur reduktim të shpenzimeve po atë vit, në një shumë minimale prej 3.5 milionë. Nga 10 milionë në 3.5 milionë. Kemi pasur dy komisione, një komision për furnizim dhe një komision për shpërndarje. Unë kam pas një propozim, jam taku me ministrin shqiptar të Maqedonisë, që të arrijmë marrëveshje me botues ndërkombëtarë, për krijimin e librave të përbashkët ndërkombëtar, shqiptarë e kudo”, u shpreh Bajrami.