Lista e publikuar e anëtarëve që pritet ta përbëjnë kabinetin e ardhshëm të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden nuk është inkurajuese për Serbinë. Ata janë kryesisht njerëz nga e kaluara, të cilët do ta kenë të vështirë të dalin prej saj, dhe Biden, njeriu i së kaluarës, do të duhet të përballet me një situatë të re në Ballkan. Kështu është shprehur ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vladislav Jovanoviq, transmeton Gazeta Express.
“Në ndërkohë, Serbia është bërë vend krejtësisht i ndryshëm. Nuk është e dobët, e lodhur nga brenda, nuk i është nënshtruar vështirësive që iu imponuan. Nga ana tjetër, fotografia e botës është e ndryshme. Ajo foto e botës reflektohet në Ballkan, ku shfaqen ambiciet. Vërehet prania dhe ndikimi i shtyllave të tjera të shquara të fuqisë në botë – Rusia, Kina, Turqia, madje edhe ndikimi arab, për të mos përmendur Gjermaninë, e cila në heshtje, përveç NATO-s dhe BE-së, po tërhiqet në Ballkan”, tha Jovanoviq.
Ai beson se Biden do të duhet të llogarisë me një konfigurim tjetër gjeopolitik, i cili nuk ekzistonte më parë, ose nuk ekzistonte në një masë kaq serioze.
“Për shkak të kësaj, ai do të duhet të kuptojë, që Trump tashmë kishte filluar ta kuptonte, se Serbia është rritur dhe është bërë hartë politike më e rëndësishme sesa vetë Kosova, dhe se ai do të duhet të masë format e presionit të tij ndaj Serbisë, për t’i çuar ato deri në kufi, gjë që nuk do të rrezikojë interesat gjeopolitike amerikane”, tha Jovanoviq për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online”, transmeton Gazeta Express.
Sipas tij, kjo krijon një hapësirë të re që e lejon Serbinë të manovrojë në procesin e negociatave “i cili u hap dhjetë vjet më parë, dhe ishte i bllokuar për shkak të politikës së qartë të mbështetjes amerikane për Kosovën në çdo situatë”.
“Tani ata do të duhet ta mbajnë atë politikë, por ta modifikojnë atë në mënyrë të konsiderueshme. Si, në cilin drejtim, do ta shohim” deklaroi Jovanoviq.
Megjithatë, siç vlerëson ai, fakti gjeopolitik mbetet “se Serbia po rritet më shpejt, më mirë dhe më gjerë se Kosova, e cila është e mbërthyer në problemet e saj, për të mos përmendur thashetheme të ndryshme të zeza nga droga në terrorizëm”.
“Biden do të duhet që, me bashkëpunëtorët e tij, së pari të pikturojë një situatë të re në Ballkan dhe të përcaktojë hapat e tij mbi atë bazë. Ata hapa nuk mund dhe nuk do të jenë të njëjtat si më parë, nën Obamën dhe Bushin. Ai do ta mbajë drejtimin kryesor, por do të jetë shumë më delikat, më i kujdesshëm, madje do të thoja më i dobishëm drejt interesave të Serbisë në Kosovë”, tha Jovanoviq.
Ekipi Biden-Harris ka publikuar një listë të bashkëpunëtorëve të nominuar të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden. U njoftua se Biden e ka emëruar mbështetësin e Kosovës, Anthony Blinken si kandidat për postin e Sekretarit të Shtetit, dhe Jake Sullivan si këshilltar të tij të sigurisë kombëtare.
Ai ka zgjedhur Avril Haynes si kandidat për drejtor të shërbimeve të inteligjencës kombëtare dhe Linda Thomas Greenfield si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.
Alejandro Majorcas është emëruar për Sekretar të Sigurisë Kombëtare dhe John Kerry si i Dërguar Special i Presidentit të SHBA-së për Çështjet e Klimës.