Ish-ministri i Mbrojtjes nuk pret “aventura” të Serbisë në veri të Kosovës

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 09:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, thotë se nëse llogaritet miqësia tradicionale ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, është e natyrshme që të pritet ndonjë veprim dhe zhvillim i cili mund të tensionojë situatën edhe në veri të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se në këtë rast është i rëndësishëm koordinimi me institucionet e sigurisë me prezencën ndërkombëtare ushtarake me KFOR-in.

“Tani nga komuniteti perëndimor, nga vendet demokratike dhe të civilizuara cilësohet operacioni ushtarak nga Rusia në Ukrainë si agresion. Dhe kur një shtet e ndërmerr një veprim të tillë natyrisht që për të siguruar suksesshmërinë e operacionit është interesuar që të ketë sa më pak kundërshtarë. Këtë mund të arrijë duke krijuar edhe kriza të reja dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga ai territor ku po zhvillohen operacionet”.

“Dhe nëse e llogarisim miqësinë tradicionale në mes të Serbisë dhe Rusisë është e natyrshme që të pritet ndonjë veprim dhe zhvillim i cili mund të tensionojë situatën edhe në Veri të Kosovës por edhe më gjerë. Unë besoj që autoritetet shtetërore por edhe nga praktika ime e mëhershme si Ministër i Mbrojtjes në situata të tilla do të thotë se është një koordinim i mirë i institucioneve të sigurisë me prezencën ndërkombëtare ushtarake në këtë rast me KFOR-in. Po ashtu edhe një komunikim i veçantë me autoritetet e NATO-së dhe me partnerët strategjikë”, ka thënë Quni.

Deputeti i LDK-së nuk beson se Serbia mund të ndërmarrë ndonjë veprim në Kosovë. Krahas kësaj, Quni thotë se Kosova duhet t’i ketë parasysh rreziqet e mundshme, por jo në ato përmasa sa të bëhet panik.

“Gjitha vlerësimet, qëndrimet por edhe veprimet duhet të bëhen në koordinim të mirë me partnerët tanë. Nuk është e domosdoshme që prezenca fizike është edhe ndonjë preventive që të menaxhohet ndonjë situatë, por situata duhet të jetë në mbikëqyrje më të vëmendshme”. “Natyrisht që duhet të ketë forca në gatishmëri dhe të përgatitura mirë edhe për operacione të tilla. Unë prapë po besoj që nuk do të ketë aventura të tilla nga ana e regjimit të Serbisë, pasi që po vlerësoj që edhe ata e kanë bindjen që një aventurë që është ndërmarrë nga Rusia mundet të kthehet shumë shpejt një bumerang për apetitet e Serbisë”, tha Quni.       

 

Të ngjashme