Qeveria ka kthyer përsëri çështjen e privatizimit të pjesshëm të Telekomit të Kosovës. Këtë qasje e përkrahu ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online deklaroi se privatizimi i PTK-së është shpëtim i ndërmarrjes publike dhe vendeve të punës.
Por, ai potencoi se kjo Qeveri nuk guxon të dështoi në këtë proces, ashtu siç është dështuar dy herë më parë në qeveritë e kaluara. Prandaj, thotë ai se kjo mundësi duhet të shfrytëzohet me interes strategjik për vendin.
“E mirëpres një vendim të tillë ku Qeveria aktuale e parasheh një shitje të pjesshëm të Telekomit të Kosovës, është zgjidhja e vetme për shpëtimin e Telekomit dhe vendeve të punës për të gjithë punëtorët që janë aty. Nuk duhet të parashihet privatizimi i Telekomit me humbje të vendeve të punës, kemi raste të ndryshme në Evropë ku vendet e punës janë ruajtur”.
“Nuk guxon Qeveria të dështoj në privatizim, dy herë kemi dështuar dhe ka qenë mjaftë keq. Kur flasim për privatizim duhet të veprojmë në mënyrë strategjik si vend. E kemi mundësinë ta fokusojmë privatizimin me shtetet që kemi interes strategjik për përkrahjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.
Ish-ministri njoftoi se privatizimi duhet të bëhet me brende të njohura ndërkombëtare, për të cilat tha ai se ka vende të cilat janë të interesuara për PTK-në, andaj Kosova nuk duhet ta humb këtë mundësi.
“Investitori kushdo që është i interesuar të blej Telekomin e Kosovës do të bëjë analiza. Privatizimi duhet të bëhet në mënyrë sa më të mirë që të përfitoj vendi. Të kemi të bëjmë me brende të mirënjohura ndërkombëtare”.
“Sa kam qenë në ministri, shumë brende kanë shprehur interesim nga vendet e Evropës. Ka kompani dhe interesim dhe duhet të shfrytëzojmë këtë situatë që të kemi më të mirën e mundshme. Banka për Rindërtim dhe Zhvillim na ka përkrahur me një projekt që parasheh ristrukturimin e Telekomit. Kjo bankë rritë kredibilitetin e procesit. Nuk dëshirojmë të shohim një dështim siç ka ndodhur edhe dy herë më herët”, shtoi Lluka.
Asetet thotë Lluka se nuk janë vlera e ndërmarrjes, sipas tij gjysma e tregut që përfaqësohet nga kjo ndërmarrje në vend është vlera monetare për investitorët e huaj, raporton EOE.
Për këtë, tha ai se duhet të shfrytëzohet mundësia pasi thotë ai se mund të ketë rënie të shërbimeve nga konsumatorët.
“Vlera e Telekomit nuk janë asetet, sot kur flasim me botën e zhvilluar një aplikacion i vetëm në telefon ka potencial me u shitë me miliarda euro”.
“Do të thotë është vlera e biznesit, që investitoret të investojnë. Telekomi është në pozitë të mirë, jo në pozitën e aseteve por nuk ka investime në modernizim të rrjetit si shkak i problemeve që Qeveria i ka ndaluar”.
“E mira është se Telekomi mban gjysmën e tregut mbi 50 për qind dhe aty është vlera monetare për investitorët e huaj. Në këtë kohë sa nuk janë ikur konsumatorët për shkak të rënies së shërbimeve duhet të shfrytëzohet mundësia për privatizim”, ka thënë Lluka.