Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti publikoi sot në Facebookun e tij disa statistika që sipas tij tregojnë punën e madhe që po bën qeveria e tij.
Bajrami ka theksuar se krahasimi me vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur e shumica e bizneseve nuk kanë pasur mundësi të shesin asnjë produkt nuk nund të bëhet.
“Në ekonomi krejt çka po ndodhë është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimkëmbjes ekonomike të qeverisë se kaluar dhe natyrisht inflacionit”.
“Asnjë vendim nuk keni marrë që ndihmon ekonominë, asnjë”, ka shkruar Bajrami e LDK-së, transmeton Ekonomia Online.
POSTIMI I PLOTË:
Kryeministër,
Kur fol me shifra duhet me qenë gjithpërfshirës me i paraqitë të gjitha shifrat. Sot, shifrat për të cilët është dashur të flisni janë ato të të infektuarëve dhe strategjia e qeverisë si më dalë nga kjo situatë.
Po e ofendon çdo qytetar me këta numra dhe me këto lavdata, e më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 99 cent e sot e blejnë 1.55 Euro.
• Normal se ka 34% më shumë se vitin e kaluar të hyra nga tatimi në të ardhurat e korporatave, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur e shumica e korporatave nuk kanë pasur mundësi të shesin asnjë produkt nga 11 marsi deri me 5 qershor.
• Normal se ka 37% më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur.
• Normal se ka 95% më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit sepse vitin e kaluar qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë.
Kryeministër, trego:
• Qysh po e shpërndan pakon e ringjalljes 420 milionë euro?
• Qysh ka me u zhvillu mësimi nga data 1 shtator?
• Si ka mundësi që jemi vendi me më se paku të vakcionuar në rajon?
• Kush i ka “meritat” që i kemi mbi 1300 të infektuar në ditë?
• A po shkojmë drejt mbylljes totale?
• Si keni me i ndihmu bizneset e qytetarët kur ta mbyllni vendin?
Trego për të ardhmën, se në ekonomi krejt çka po ndodhë është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimkëmbjes ekonomike të qeverisë se kaluar dhe natyrisht inflacionit.
Asnjë vendim nuk keni marrë që ndihmon ekonominë, asnjë!