Suada Sherifi është shpallur Miss Albania në vitin 2005, kur ishte vetëm 17 vjeç. Sot është me profesion notere, e martuar dhe nënë e vogëlushes me emrin Deizi.
Pak muaj më parë, Sherifi ka dhënë një deklaratë ku shprehej se vite më parë, fotografi i njohur Fadil Berisha i ka kërkuar të kryente një ndërhyrje estetike në hundë, por Suada nuk e ka pranuar dhe nuk e ka kryer këtë ndërhyrje.
Kjo deklaratë bëri bujë në rrjetet sociale dhe u shpërnda me shpejtësi, por sot ish-Missi, e ftuar në “Rudina” tregoi se si ka ndodhur ngjarja.
Ajo tha se Berisha i kishte kërkuar të bënte ndërhyrje për të arritur një simetri perfekte në fytyrë, por mjekët me të cilët ajo ishte konsultuar kishin kundërshtuar duke e bërë atë të bindej dhe të mos e kryente ndërhyrjen. Sherifi tha po ashtu se Berisha nuk “ia ka dhënë dorën” asaj ashtu siç ka bërë me shumë vajza shqiptare.
“Kjo ka ndodhur përpara pjesëmarrjes time në Miss Univers. Gjithsesi Fadil Berisha mua asnjëherë nuk ma ka dhënë dorën siç ka bërë me shumë vajza të bukura shqiptare. Ndoshta më penalizoi ndërhyrja në hundë, nuk e di këtë, por unë atëherë isha shumë e vogël. Unë bëra nja dy konsulta dhe mjekët më kapnin nga flokët, sepse mendonin se doja të bëja veshët dhe kur i thoja kam ardhur për hundën, ata kundërshtuan në mënyrë kategorike. Është fjala e një fotografi shumë të mirë që ka në dorë në një farë mënyre rrugën e suksesit. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse ma tha. Por unë jam shumë e lumtur që nuk e kam bërë hundën operacion”, rrëfeu Sherifi.