Anëtarët e Unionit Demokristian Gjerman (CDU), partia më e madhe opozitare, zgjodhën konservatorin e shquar Friedrich Merz si kreun e ri.
Merz, i cili kandidoi për herë të tretë si kryetar i partisë së ish-kancelares Angela Merkel, mundi dy kandidatë të qendrës, duke fituar mbështetjen e 62.1 për qind të anëtarëve.
Kongresi i partisë do të konfirmojë votën e anëtarësimit në muajin janar, por duhet të jetë një formalitet.
Ish-lideri i partisë Armin Laschet, i cili erdhi në krye në muajin janar, largohet pasi koalicioni konservator i CDU dhe Unioni Kristian Social (CSU) arritën rezultatin më të keq deri më tani në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.
Blloku konservator fitoi 24.1 për qind të votave në zgjedhje dhe iu bashkua opozitës pas 16 vitesh, raporton politico.
Merz, 66 vjeç, ka përvojë si lider i opozitës. Ai drejtoi grupin CDU-CSU në parlament nga viti 2000 deri në vitin 2002, kur Merkel e largoi nga detyra. Ai u largua nga parlamenti në vitin 2009 për të punuar si avokat. Ai u rizgjodh në Bundestag në zgjedhjet e shtatorit.
Pasi Merkel njoftoi se do të tërhiqej nga politika, Merz kandidoi për kreun e CDU-së në vitin 2018, por u mund nga Anegret Kramp-Karenbauer dhe në janar të këtij viti nga Laschet.
Merz tha sot se do të punojë që në parti të dëgjohen “mendime dhe drejtime të ndryshme politike”.