Ish-presidenti i Sudanit del para gjyqit për korrupsion

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Sudanit, i cili u rrëzua nga pushteti përmes një puçi ushtarak para disa muajsh, Omar al-Bashir, është paraqitur në gjykatë të hënën për shkak të akuzave për korrupsion.

Një hetues tha se ish-presidenti ka pranuar se ka marrë miliona dollarë nga Arabia Saudite.

Në qershor, prokurorët thanë se kanë gjetur një grumbull të madh të parave në valutë të huaj në thasë drithërash në shtëpinë e tij.

Ish-presidenti në gjykatë u paraqit i veshur me rroba të bardha dhe nuk bëri asnjë koment për dyshimet e lexuara nga prokurori.

Dëshmitarët thanë se përreth ndërtesës së gjykatës pati forca të shumta të sigurisë në kohën kur po gjykohej Omar al-Bashir.

Ai është ngarkuar me akuzat për posedim të valutës së huaj, korrupsion dhe pranim të dhuratave në mënyrë ilegale.

Në prill, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, tha se në shtëpinë e ish-presidentit është konfiskuar një sasi të hollash prej 113 milionë dollarësh.

Ekipi mbrojtës i Al-Bashirit i ka kundërshtuar këto akuza, duke thënë se ato janë të pabaza, shkruan “BBC”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme