Një gjykatë sudaneze e ka dënuar të shtunën ish-presidentin Omar al-Bashir me dy vjet burgim për shkak të korrupsionit. Ai ishte rrëzuar më parë nga pushteti pas protestave dhe kryengritjeve masive.
Gjykatësi i këtij rasti tha se ish-presidenti 75-vjeçar, i cili u rrëzua nga pushteti në prill të këtij viti, do të dërgohet në një qendër të veçantë për ta vuajtur dënimin, e jo në burgjet e zakonshme.
Gjykata gjithashtu dha urdhër për konfiskimin e miliona eurove që autoritetet i kishin gjetur më herët në banesën e ish-liderit kur ishte rrëzuar nga pushteti.
Bashir është gjithashtu person i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në vitet 2009 dhe 2010 kishte lëshuar fletarrestim kundër tij nën akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Organet e drejtësisë në Sudan i kanë hapur edhe disa raste të tjera gjyqësore, përfshirë akuzat për vrasjen e protestuesve dhe nxitje të dhunës, shkruan “Reuters”.