Organizatat “Open Data Kosovo” dhe “Girls Coding Kosova” kanë organizuar Orën e Kodimit, ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të kodojnë lojëra, programim në telefon dhe robotikë. Ora e Kodimit është një lëvizje globale që prezanton dhjetëra milionë studentë në mbarë botën për shkencat kompjuterike, duke frymëzuar fëmijët për të mësuar kodim, duke thyer stereotipet gjinore, dhe duke i lënë ata të ndjehen të fuqizuar.
Këtë eksperincë e provoi edhe ish presidentja Atifete Jahjaga. Aty ish e para e shtetit takoi, nxënës, studentë dhe dashamirë të kodimit ku nga afër pa edhe fillimin e një programimi se si bëhet kodimi, raporton Ekonomia Online.
Jahjaga tha se teknologjia është bërë pjesë e jetës së përditshme dhe domosdoshmëri të zgjerojmë njohuritë.
Por sipas saj, vetëm një numër i vogël i shkollave kanë kompjuterë, kjo shkaku i mundësive jo të mira financiare.
“Kjo iniciativë është e rëndësishme për shtetin tonë e cila është për të rinjtë potencialin e Kosovës. Teknologjia është bërë pjesë e jetës tonë të përditshme dhe është bërë e domosdoshme që të zgjerojmë njohuritë tona. Shumica prej nesh dimë të përdorim teknologjinë e cila na lehtëson jetën dhe na ndihmon të organizohemi më mirë dita ditës”.
“Por jo të gjithë dinë të kodojnë e të përdorin robotikën. Vetëm një numër i vogël i shkollave kanë kompjuter krejt kjo shkaku i mjeteve të vogla financiar. Investimi në teknologji është investim i të rinjve që po iu bëjnë konkurrencë moshatarëve të tyre në mbarë botën”, tha Jahjaga.
Jahjaga me tutje theksoi se investimi në shkenca kompjuterike, ndërkaq, është investim i domosdoshëm i të së ardhmes së shtetit tonë. “Është një investim i Kosovës së re. Është një investim për Kosovën e të rinjve, të cilët qysh tani me të gjitha pengesat po bëjnë konkurrencë të fuqishme moshatarëve të tyre në mbarë botën.”
Ajo përgëzoi organizatat “Open Data Kosovo” dhe :Girls Coding Kosova” për këtë organizim.
Blerta Thaçi, nga “Open Data Kosovo”, u shpreh se qëllimi i këtij aktiviteti ishte t’iu ofrojë një mundësi secilit të provojnë një orë kodim. “Ky aktivitet është një nismë globale dhe ne simbolikisht duam që së bashku ta fusim edhe Kosovën në këtë hartë”, shtoi ajo.
“Open Data Kosovo” dhe “Girls Coding Kosova”, së fundmi, kanë programuar dhe lansuar programe dhe aplikacione të ndryshme siç janë: Techstitution, që mundëson digjitalizimin e proceseve të punës në institucionet publike të Kosovës; Tech4policy, që mundëson krijimin e politikave publike në institucionet e qeverisjes lokale; Techsperience, që ngritë kapacitetet e të rinjve në fushën e teknologjisë.