Në tetor të vitit të kaluar, Ali Rexha, si Prokuror Special, kishte denoncuar ngacmimet e grave ‘të huaja” nga udhëheqës të Prokurorisë së Shtetit. Prej atëherë, askush s’është marrë me lëndën e tij për t’i zbardhur konstatimet e tij.
Në një bisedë për Express, Rexha, i cili tash ushtron profesionin e avokatit, pasi ka dalë në pension, ka thënë se askush s’e ka kontaktuar për denoncimet që i ka bërë.
“Askush nuk me ka pyetur. E kam deponuar letrën dhe faktet. Askush s’më ka kontaktuar. Tash e kam mbyllur atë kaptinë”, ka thënë Rexha, për Express, të dielën.
Rexha vitin e kaluar kishte shkruar dy Letra me akuza të renda në drejtim të kolegëve të tij.
Në letrën e dytë, ai, kishte thënë se posedon fakte se shefat në sistemin prokurorial po keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare me gra të huaja. Kishte denoncuar se ata po bëjnë sjellje donzhaneske. Nuk ka dhënë emra por është shprehur i gatshëm të dëshmojë.
Më 12 korrik të vitit 2016, Prokurori Special, Ali Rexha, kishte shkruar një letër të gjatë në adresë të të gjithë kolegëve të tij. Ishte ankuar se nuk po avancohej dhe po keqtrajtohej për shkak se po “punon shumë”.
Letren e kishte shkruar më 22 qershor të vitit 2018. Kishte lëshuar akuza të reja në drejtim të udhëheqjes së Këshillit Prokurorial dhe Prokurorive.
Por, nuk kishte përmendur asnjë emër. Është treguar i gatshëm të ofrojë faktet.
As të dielën s’ka përmendur emra. Ka thënë se i ka përmendur të gjitha në letër.
“Shumë kolegë kanë ankesa në menaxhment në nivel të Këshillit dhe Kryeprokurorisë, por nuk kanë kurajë që haptazi të deklarohen”, kishte shkruar Prokurori Special, në tekstin e letrës.
“Kam prova se këta menaxherë në orar zyrtar, në hapësira zyrtare apo publike, bëjnë sjellje donzhuaneske me gra të huaja. Ky gjest është sjellje e skajshme primitive. Kjo është keqpërdorim më primitiv i detyrës zyrtare”, shkruan më tej Rexha, në pikën 10 të akuzave të tij në adresë së udhëheqësve.
Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe, donzhuan ka kuptimin kur një “burrë ose djalë është i dhënë pas aventurave të dashurisë dhe pas qejfeve; ai që u vjen rrotull grave dhe që përpiqet t’u pëlqejë atyre, t’i mashtrojë e t’i shtjerë në dorë me çdo mënyrë (sipas emrit të Don Zhuanit, heroit legjendar të disa veprave letrare spanjolle etj.).
Ali Rexha detyrën e Prokurorit Special e kishte ushtruar prej një korrikut të vitit 2008.
Pos akuzës për veprime donzhuanekse, Rexha i thekson se brenda sistemit prokurorial, shpërblehen, avancohen dhe favorizohen njerëzit, të cilët sipas tij, nuk është dashur të jenë fare në sistem dhe për të cilët ka dyshime të bazuara për korrupsion dhe për dobësi profesionale.
Ai akuzon sistemin prokurorial se është poashtu kamp i politikanëve të dështuar në politikë dhe në prokurori.