Ish-punëtorët e ish-fabrikës ”Llamkos” në Vushtrri kanë protestuar para zyrës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) duke kërkuar shlyerjen e borxhit ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të ish-punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, tha se AKP-ja u mbetur edhe 13 paga borxh 487 personave.
“Na kanë mbetur borxhe prej vitit 2008-2009, e kemi vendimin AKP qe na ka dhanë por nuk na kanë paguar AKP, kanë thënë që dhoma e posaçme s’po lejojnë jena kanë të kryetari, sot u ndamë shumë të zhgënjyer kemi mëndu që diçka do të na dalin në ndihmë këta u arsyetuan që kompania bullgare e ka bllokuar mjetet e AKP-së”.
“…ne ishim të drejtori i AKP-së Ardian Berisha dhe Ardita Lokaj, kurrë farë shpresa nuk na dhanë, të rinjtë janë largu krejt na kemi mbetur me shpresë mos po na japin, diku nga 1mijë euro për person. Veç me ardhur me një protestë më agresive s’ka mbetur tjetër. 487 janë punëtorë që na kanë borxhe”.
Nexhmedin Hyseni, tha se janë mësuar me “përrallat” e AKP-së që 20 vjet, prandaj edhe duhet që të plotësohen kërkesat e tyre.
“Sot është dashur të jetë edhe kryetari i Sindikatës me na prit e jo veç drejtori i AKP-së, e jo me ardhur me na treguar këtu veç përrallat e AKP-së të cilat i dimë që 20 vjet. Njerëzit po lypin rritje rrogë e na po i kërkojmë ato ende”.
Gjykata Ekonomike në Prishtinë, para pak ditësh kishte marr vendim që të nxjerr në shitje fabrikën e Llamarinës “Llamkos”, përmes ankandit publik në afat kohor prej 60 ditësh.
Privatizimi i fabrikës së “Llamkosit”, në Vushtrri kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 kjo ndërmarrjes ka mbetur në proces të falimentimit. Si pasojë e mospunës edhe borxhet ndaj punëtorëve kanë shkuar duke u rritur.