Ish-punëtori shqiptar i palestrës në Mitrovicën e Veriut: Pagesat bëhen me dinarë, koordinatori serb më tha “mos u bëj merak” për shtetin

Prishtinë | 09 Pri 2026 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Në institucionet e Kosovës, si palestra sportive në Mitrovicën e Veriut, pagesat bëhen në dinarë, thotë Armend Sejdiu, që ishte koordinator i punëve teknike në këtë palestër.

“Te ne ka funksionu edhe dinari dhe funksionon ende, derisa shteti të marrë masa”, tha ai sot në një lidhje direkte në T7.

Sejdiu, bashkë me katër shqiptarë të tjerë u shkarkuan nga puna dje. Sipas tyre, kjo u bë vetëm për shkak të rikthimit të Listës Serbe në qeverisje atje, që ka shkaktuar pasojat e para në përfaqësimin dhe përfshirjen e komunitetit shqiptar në institucionet publike.

Kosova ka kohë që e ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, duke e nxjerrë atë jashtë ligjit.

Por Sejdiu tha se me t’u kthyer Lista Sebe në pushtetin lokal atje, pagesat kanë nisur të bëhen në dinarë.

“Kur kanë ardhë këta, kanë fillu me ardhë normal klientë, si në termine, si në fitnes. Palestra e ka edhe një fitnes të vogël. Pagesat kanë fillu me u bë në dinarë, që është shumë interesant. Në institucione të Kosovës. Se institucion i Kosovës është. Kosovë është edhe ajo”, tha ai.

Sejdiu tha se ata kishin refuzuar të pranonin dinarë.

“Ne nuk kemi pranu me marrë dinarë. E kemi drejtu. ‘OK shko në zyrë te Gorani edhe vazhdoni bëni pagesat atje. Ne nuk marrim dinarë”, tha ai.

Kur koordinatori i aktiviteteve sportive në palestër, Goran Kovaq, mungonte, Sejdiu tha se porosiste që t’i pranonin pagesat në dinarë.

“Thojke, për shembull, merrni ju dinarët, që le të paguajnë, si t’vi unë i marrë i bëj euro dhe i dorëzoj në Komunë”, tha ai.

Sejdiu tha se në një takim me Kovaqin javën e kaluar, ai i kishte thënë të mos bëhej merak për dinarët.

“Tash kur isha në takim javën e kaluar me të i thashë nëse vjen dikush prej shtetit dhe mu më krijon telashe pse unë po marr dinarë, kush merr pëgjegjësi? Tha ‘ti mos u bëj merak për këtë punë. Ti veç ia dorëzon paret Goranit, Gorani i bën euro dhe na i sjell neve në Komunë’”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në vitin 2024 kishte vendosur ta ndalonte përdorimin e dinarit serb si mjet pagese, ndërsa kishte mbyllur edhe institucione paralele serbe në veri të vendit, si posta, banka, qendra për punë sociale e ndërmarrje të tjera.

Ka pasur edhe më herët raportime se ai vendim nuk i ka ndalur praktkisht pagesat dhe transaksionet me dinarë.

Të ngjashme