Ish-reprezentuesit e Maqedonisë së Veriut, që po japin kontribut në futbollin kosovar

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 09:18 | Nga Ekonomia Online

Ardian Nuhiu me Dritën është fitues në fuqi i titullit të kampionit të Kosovës në futboll. Titull me dy skuadra të ndryshme kosovare ka fituar edhe trajneri aktual i Prishtinës, Zekirija Ramadani. Ramadani e ka fituar titullin me Trepçën ’89 dhe së fundi me Feronikelin.

Nuhiu e Ramadani kanë një tjetër të përbashkët, pos që kanë fituar tituj të kampionit të Kosovës. Të dy kanë luajtur në të kaluarën për Maqedoninë e Veriut. Ramadani ka luajtur shtatë ndeshje, kurse Nuhiu pesë.

Karrierën e suksesshme si trajnerë Ramadani e Nuhiu po e zhvillojnë në Kosovë. Përfaqësuesja e dikurshme e tyre, ajo e Maqedonisë së Veriut, është kundërshtare e Kosovës në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Në stadiumin ku Kosova do ta zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme të saj, atë të Shkupit, kanë luajtur edhe disa futbollistë shqiptarë që aktualisht janë pjesë e klubeve të Kosovës. Ata po ashtu e kanë përfaqësuar Maqedoninë e Veriut.

Drita i ka edhe dy ish-reprezentues të Maqedonisë së Veriut, Ardian Cuculin dhe Vladica Brdarovskin. Por, këta nuk janë të vetmit. Në periudha të ndryshme për Maqedoninë kanë luajtur edhe Besmir Bojku i Feronikelit dhe Sedat Berisha i Trepçës ’89.

Për ndeshjen kundër Kosovës, Maqedonia i ka ftuar plot gjashtë futbollistë shqiptarë: Visar Musliu, Egzon Bejtullai, Arijan Ademi, Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Ferhan Hasani.

Në vitet e fundit pesë-gjashtë futbollistë shqiptarë zakonisht përfshihen te Maqedonia e Veriut. Ka vlerësime se e meritojnë edhe më shumë. Ndërkohë për shkak të rrethanave të ndryshme, kryesisht politike, në të kaluarën ka pasur numër më të vogël të futbollistëve shqiptarë në ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut.

Useini i Gjilanit, që për Maqedoninë e ka luajtur një ndeshje kualifikuese për “Euro 2012” kundër Andorrës, thotë se ishte periudhë e bukur paraqitja për Maqedoninë e Veriut. Por, ai thotë se po e shijon çdo moment të kaluar edhe në Kosovë.

“Ka qenë numër shumë më i vogël i shqiptarëve atë kohë se tash. Përparësi kishin gjithmonë lojtarët që luanin në kampionate të forta dhe ishte e habitshme për mua sepse vetëm unë dhe Ferhan Hasani ishim nga kampionati i Maqedonisë. Ishte një eksperiencë e re dhe periudhë e bukur, sepse kishim rastin të mësonim nga lojtarë më të vjetër që luanin në klube të mëdha. Maqedonia ka ndërrim gjenerate dhe shumica janë në pension, mirëpo akoma ka lojtarë që janë aktivë, të cilët i kam shokë shumë të mirë. Kosova ka krijuar një kombëtare shumë të fortë me shumicën e lojtarëve që luajnë në klube evropiane”, ka thënë futbollisti i lindur në Tetovë.

Useini insiston se lëndimi i pësuar në vitin 2011 ka ndikuar që ai të mos ftohej më nga Maqedonia e Veriut.

Ndeshjen në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do ta shikojë në Gjilan. Ai thotë se do të jetë ndeshje e rëndësishme për të dyja përfaqësueset.

“Do të jetë një ndeshje e rëndësisë së madhe për të dyja kombëtaret dhe atë sigurisht që do ta shoh në Kosovë. Kemi stërvitje atë ditë dhe sigurisht se do të bëjmë ndonjë organizim”, ka theksuar Useini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme