Ish-shefi i Kabinetit dhe ish-këshilltari i Ramush Haradinajt, deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gani Demaj, ish- shef i Kabinetit të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Jahja Lluka, ish-këshilltar politik i tij, u deklaruan të pafajshëm në rastin ku po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lluka dhe Demaj po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me rastin e kryerjes së punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve si Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin rreth fajësisë, dy të akuzuarit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj.

“Plotësisht i pafajshëm edhe jam i ofendum”, tha i akuzuari Lluka.

Po ashtu, i pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Demaj.

Andaj, gjykatësi Gëzim Ademi konstatoi se meqenëse të akuzuarit janë deklaruar se nuk e ndjejnë veten fajtorë, gjykata i njofton se brenda afatit prej 30 ditëve mund ta bëjnë kundërshtimin e provave dhe aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 22 shtator 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Jahja Lluka dhe Gani Demaj po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza thotë se i akuzuari Lluka si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në pozitën e këshilltarit politik të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij me rastin e angazhimit të drejtpërdrejtë të kompanisë “NTP Art Cora”, për kryerjen e punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve: Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, me ç’rast kompanisë së lartcekur i mundëson përfitim në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërsa sipas akuzës, i akuzuari Demaj duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, konkretisht në pozitën si shef i kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij, i cili ka vepruar kundërligjshëm, duke nënshkruar faturat për varrezat e lartcekura.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lluka dhe Demaj kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike si dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave, ashtu që të njëjtit pa i përfillur procedurat e prokurimit, e duke ia mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, duke punuar pa projekt, pa raport për përcjelljen e punimeve, pa menaxher të punimeve apo komisioni për vlerësim të punimeve të kryera, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.

Me këto veprime, Lluka dhe Demaj po akuzohen secili veç e veç se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme