Milot Rashica po vazhdon të shkëlqejë me paraqitjet e tij fantastike si në fanellën e Werder Bremeni-t ashtu edhe në atë të Kombëtares së Kosovës.
Aktualisht, 23 vjeçari është futbollisti më i shtrenjtë shqiptar me vlerë 28 milionë euro sipas faqes së njohur për vlerat e futbollistëve ‘Transfermarkt’.
Por, si ka nisur karriera e djaloshit të artë vushtrrias, si ra në sytë e trajnerit nga Prishtina, dhe si u bë që të veshte fanellën e Kombëtares së Shqipërisë por edhe atë të Vushtrrisë, tregon tashmë ishte trajneri i tij, Mehmet Kurda, në një rrëfim super-special për Gazeta OLLE.
“Milotin për herë të parë e kam parë duke luajtur në një turne të cilin e kishte organizuar KF Flamurtari i Prishtinës. Në atë turne ishim pjesëmarrës edhe ne si KF Kurda dhe aty e kam parë talentin e tij ku në atë turne për grupmoshën U-10 Rashica është zgjedhur lojtari më i mirë sepse bënte diferencën gjatë ndeshjeve të zhvilluara”, ka thënë fillimisht Kurda.
Tutje trajneri i njohur për shkollën e tij të futbollit ‘Kurda’, tregon se si u bë që Rashica të bëhej pjesë e ekipit të tij.
“Pas një periudhe trenerët e Milotit, Isa Sadriu dhe Besnik Kollari të cilët e udhëhiqnin bashkë shkollën private të futbollit në Vushtrri më ftuan të zhvilloj një ndeshje tjetër miqësore ndaj tyre dhe pas një kohe ajo shkollë u mbyll dhe me preferencën e trajnerëve të lartë-cekur Miloti erdhi në shkollën tonë dhe në atë kohë përveç fushës së vogël njëkohësisht shfrytëzonim edhe fushën e madhe të stadiumit ‘Ekrem Grajqevci’ në Fushë Kosovë”, shtoi ai.
Ishte vetëm 11 vjet por që luante me grupmoshën U-13 ku dhe bënte diferencën, Kurda rrëfehet se në dorë kishte një talent të jashtëzakonshëm.
“Pasi që ai (Miloti) filloi stërvitjet te ne, unë bisedova me prindin e tij ku morën vendim që të regjistrohet në LRFP. Që nga ajo kohë e kam aktivizuar me grupmoshën U13 edhe pse ishte vetëm 11 vjeçar. Me kalimin e kohës duke punuar e vërenim ngritjen e tij ku nëpër ndeshje të ndryshme bënte diferencën dhe dita-ditës ishim dëshmitar se bëhet fjalë për një futbollistët të jashtëzakonshëm”.
Kurse për kalimin te Vushtrria me të cilët u bë edhe kampion i Kosovës, Kurda tha se kjo gjë u bë me marrëveshje me prindin e tij.
Pas kalimit te Vushtrria, Rashica si 16 vjeçar ishte shëndrruar një nga futbollistët më të pëlqyer të tifozërisë ‘Forca’ nga Vushtrria, të cilët edhe në këtë kohë kanë si simbol të klubit të tyre dhe qytetit, Rashicën.
“Ishte janar periudhë dimërore ku në një ditë më kontaktoi babai i tij dhe më pyeti nëse jam dakord që gjatë kësaj kohe Miloti të stërvitet me seniorët e klubit të Vushtrrisë të cilët në atë periudhë kishin ushtrime më shpesh dhe në fushë të madhe. Unë isha dakord që të zhvillohej pak më shumë edhe në aspektin fizik duke ushtruar me senior dhe me kalimin e kohës duke e parë kapacitetin e Milotit se për çfarë futbollisti bëhet fjalë ata vendosen ta ndalin aty dhe të gjithë e dimë se pas kësaj filloi aktivizimi i tij në ndeshje anise ishte vetëm 16 vjet e gjysmë.
Tutje Mehmet Kurda ka treguar se si Rashica ra në sytë e Kombëtares së Shqipërisë sa ishte në moshën 15 vjeçare.
Ai ka thënë se Shqipëria në krye me De Biasin kanë pasur mos-marrëveshje me vushtrriasin pas mos-ftesës në ‘EURO16’, gjë që bëri të zgjidhet Kosova nga Rashica, por që sipas Kurdës këtë veprim të ish-futbollistit të tij e çmon shumë.
“Sa ishte 15 vjet, në atë kohë FSHF kishte filluar të organizon kampe për grumbullim të talentëve dhe një person me emrin Jetmir Salihu i cili ishte nga Gjilani ishte i autorizuar nga FSHF për këtë grumbullim në Kosovë më kontaktoi për këtë tubim në stadiumin e KEK-ut dhe pasi që FFK nuk ishte anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s vendosa t’i dërgoi dy futbollistët: Milot Rashica e Albert Stublla, ku përzgjedhës ishte trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiq dhe pasi pa talentin e tyre i ftoi të shkonin menjëherë në Tiranë ku për një kohë të shkurt janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë, ku më pas u pa ecuria e tij ku arriti deri në Kombëtaren A të tyre dhe siç e dimë të gjithë pas disa mos-marrëveshjeve me trajnerin italian De Biasi, Miloti u largua dhe erdhi të luajë te Kosova, gjest të cilin e çmoj shumë”.
Për fund Kurda ka zgjedhur të tregon momente interesante të kaluara me Rashicën.
Ai ka përmendur super-ndeshjet e El Clasico’s, Real Madrid – Barcelona, ku Miloti ishte tifozë i Realit ndërsa ‘kundërshtar’ kishte pikërisht trajnerin e tij.
“Kam dëshirë të theksoi se në atë kohë kemi pasur disa momente komike me Milotin sepse ai ishte fans i Realit ndërsa unë i Barcelonës dhe ishte koha kur në ato El Clasico’t e famshme në shumë raste fitonte Barcelona, unë bëja shaka me të, por e gjitha ka qenë shaka pozitive. Krejt në fund po shoh interesimin nga shumë klube evropiane dhe shpresoj dhe i dëshirojmë suksese dhe dëshirojmë ta shohim sezonin tjetër në një klub më të madh dhe në Ligën e Kampionëve”, përfundoj Kurda.
Rashica pas Vushtrrisë ishte transferuar te skuadra holandeze Vitesse ku kishte bërë paraqitje të jashtëzakonshme, që ia mundësuan transferimin në Bundesligë te Werder Bremen.
Ylli kosovar, pritet që gjatë kësaj vere të ndryshon skuadër pas interesimit të shumë skuadrave për të, falë formës së mirë që ka treguar këtë edicion.