Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fikret Shatri, e ka përshkruar 20 qershorin e 1999 – Ditën e Çlirimit të Istogut, si ditë me emocione të përziera.
“20 qershori ka qenë me plot dhimbje, ka qenë sakrificë e madhe ka pasë shkatërrim total të shtëpive në Istog. Ka pasë humbje të madha fizike dhe ekonomike. Ka qenë edhe njëfarëlloj lumturie për shkak të asaj që kishte ardh, por një pjesë e popullatës kishte pësuar shumë keq. Edhe neve na është vrarë vëllai. Është një miks ndjenjash, por me e rëndësishmja ishte liria, që i kalonte të gjitha”, është shprehur Shatri, njofton Klan Kosova.
“Liria ka qenë strumbullar i të gjithave”.
Shatri në Sytë 7 është shprehur se në luftën e fundit në Kosovë ka pasur mundësi që të kontribuohet më tepër.
“Kemi mundur të bëjmë shumë më shumë. Ka qenë përqindje e vogël në luftë dhe përkrahjen e luftës së Kosovës”.
Ai ka treguar në periudhën para çlirimit janë përballur me shumë vështirësi, ku ka përmendur se numri i ta vrarëve dhe të plagosurve në radhët e UÇK-së ka qenë i madh.