Ish-ushtari i UÇK-së në gjendje të rëndë ekonomike, i vdes foshnja

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 14:07 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agim Biba ish-ushtar i  Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, i cili jeton në kushte të rënda në një barakë në Prishtinë,  para katër ditëve e përjetoi edhe një dhimbje të madhe. Bashkëshortja e tij lindi dy vajza, por njëra nuk arriti të mbijetojë. Mjekët i thanë vetëm se njëra nga vajzat arriti të mbijetojë, raporton Ekonomia Online.

Por, Biba ka dyshime, se pse nuk iu lejua të bëhet obduksioni trupit të pajetë të foshnjës.

Vdekjen e foshnjës ai e ka raportuar edhe në Polici, por askush nuk është marrë me të.  Ai po ashtu tregon se nuk e kanë ditur që gruaja pret binjak, meqë gjinekologu u kishte thënë se është vetëm një fëmijë.

Për shkak të pandemisë Agimi,  nuk kishte mundësi ta shohë gruan,  derisa iu është ofruar vetëm trupi i foshnjës së vdekur, duke i ikur përgjegjësisë së obduksionit.

Biba rrëfen se doktorët nuk kanë qenë në dijeni se brenda trupit të nënës jeton edhe një foshnje tjetër, e cila lindi 5 minuta pas vajzës së parë. Siç fajëson ai, mënyra e procesit të lindjes ia ka vështirësuar jetën.

“Kur kam qenë në spital ma kanë jep foshnjën në dorë të vdekur. Ne nuk e kemi ditur se janë dy foshnje, pasi që doktori në Ulpianë ka thënë se e keni djalë. Asnjë përgjigje nuk kemi marrë nga spitali. Vajza e parë ka qenë e para që ka lind kurse tjetra mas 5 minutave. Siç tregon nusja e kanë shtyp foshnjën e dytë. Siç tregon ajo pasi që mua nuk me kanë lërë të hy brenda për shkak virusit. Të gjitha gjërat na ndihmojnë, po e respektojmë ligjin sepse unë mundem të punojë”, rrëfen ai për Ekonomia Online.

Ai më tej tregon se jetojnë në kushte të vështira, pa banjë fare dhe kërkon ndihmë nga shteti.

“Gjendja është sikur po e shihni vet, me forcat e mia e kam bërë këtë. Nuk kemi pasur mundësi tjetër kund. Bashkëshortja lindi dy vajza, njëra vdiq që nuk e dimë prej çka, në spital nuk e verifikuan derisa shkruan se prindi nuk e pranon obduksionin. Mora Bashkësinë Islame dhe e varrosëm. Jeta ime është kjo. Kam qenë ushtar i UÇK-së, në brigadën e 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Kjo është banesa, banjo nuk kemi hiq”, tregon ai.

Ndërkohë, kryetarja e Komitetit Lokal për siguri publike “Qendra”,  Violeta Hasani, tha se institucionet nuk kanë ndërmarrë asgjë, pavarësisht gjendjes së rëndë të familjes.

Ajo fajësoi shtabin emergjent në Komunën e Prishtinës për mos ndihmesë edhe në këtë kohë pandemie. Hasani njoftoj se komuna iu është përgjigjur se janë duke bërë specifikime, derisa kjo familje është në gjendje të rëndë.

“Është hera e tretë që dalim në mediume me kërkesë për institucionet qoftë qendrore e lokale me i dalë në ndihmë, por fatkeqësisht edhe pas 50 ditë pandemie nuk i ka vizituar askush. Unë e kam kontaktuar numrin e emergjencës, shtabin emergjent, tha se janë duke bërë specifikimet e banorëve që kanë nevojë. Nuk po e di çfarë specifikime nevojiten për të bërë një ndihmesë për dikë që me të vërtet ka nevojë. Janë në gjendje të rëndë. Kompetenca jem është me adresua problemin, Shpend Ahmeti po ndihmon mjaftë shumë, ka qenë i angazhuar. Nuk po e  fajësoj kryetarin por shtabin emergjent”, tha ajo.

Ajo thotë se komuna duhet të shpërndajë ndihmat në familjet që e kanë gjendjen më të rëndë.

“Qendra e Mirëqenies Sociale kanë thënë se pas 2 jave bëhet shpërndarja e gjerave ushqimore, derisa  një gjë e tillë nuk është bërë. Kërkoj mos të bëj specifikime pasi nuk ka qytetarë që në kohë të pandemisë, sepse ka pasur raste që iu ke jep ndihmë e nuk e kanë marrë. Shpërndaje ku e ki kërkesën më të rëndë”, ka thënë ajo.

Të ngjashme