Janë bërë 22 vjet që kur Xhevdet Smajli ka humbur të pamurit pasi ra në një minë.
Ai ishte pjesëtar i UÇK-së dhe punonte në sektorin e deminimit, kur gjatë pastrimit të një terreni të vështirë me bar e shkurre, shpërtheu një minë dhe e plagosi atë së bashku me kolegë të tjerë.
Në info Magazine në Klan Kosova ai u shpreh se këtë detyrë e kishte marr vullnetarisht dhe se ishte nevoja urgjente që të pastrohej terrëni, meqë prej tyre po pësonin banorët dhe kolegët e tij të UÇK-së.
“Ne kemi rënë në minën e fundit, se pastaj kanë ardhur edhe njësitet e KFOR-it, por s’kanë gjetur më asnjë”, tha Smajli, duke kujtuar momentin tragjik të këtij shpërthimi.
”Në momentin kur ka eksploduar mina, mua më ka humbur pamja, ndërsa vetëdija jo. Më kujtohet që kam pasur dhimbje të mëdha dhe i kam lutur shokët që të më vrasin se s’mund ta duroja dhimbjen. Më pas më ka humbur edhe vetëdija, e cila m’u rikthye deri sa më kanë çuar në spitalin e Ferizajt”.
“Nga aty më kanë tansferuar në spital të Prishtinës, ku nuk dihej ende çfarë po ndodhte sepse gjysma ishte me mjekë serbë që refuzonin ta lëshonin spitalin. Aty kam qëndruar dy ditë dhe më pas familjarët më dërguan në Kukës. Nga aty më dërguan në Gjermani, ku u munduan të ma rikthenin formën e kokës dhe të ma shpëtonin jetën, sepse për sytë më nuk kishte shpresë”.
Pavarësisht kësaj, ai shprehet se nuk i ka rënë pishman për vendimin që të dilte në sektorin e dominimit, duke thënë se ishte i përgatitur se fatkeqësitë e tilla mund të ndodhnin.
“Vullneti ka qenë i madh dhe kemi qenë të përgatitur për atë punë. Dihet që dikush duhet më i dhënë sytë për t’i fituar gjithë të tjerët”, u shpreh ai.