Ish-futbollisti i Espanyolit, Moises Hurtado, i cili tani është trajner i akademisë së të rinjve në klub, ka pohuar se Luis Suarez duhet të pezullohet përjetë nga futbolli, për shkak të penalltisë kontroverse e fitoi në fitoren e Barcelonës kundër Lyonit të mërkurën në Ligën e Kampionëve.
Në pjesën e parë të triumfit 5:1 të Barcës në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Camp Nou, gjyqtari Szymon Marciniak akordoi penallti për vendasit për një ndërhyrje të Jason Denayerit në Suarezin – një vendim që u mbajt edhe pas rishikimit të incidentit në VAR – edhe pse xhirimet e ngadalësuara sugjeronin se ishte në fakt sulmuesi uruguaian ai që shkaktoi faull në mbrojtësin.
Në një postim në rrjetin social Twitter, të publikuar pas incidentit, Hurtado shkroi i zemëruar: “Ja Luis Suarez… një lojtar i cili duhet të pezullohet përjetë nga futbolli për shkak se gjithmonë tenton ta mashtrojë gjyqtarin, dhe duke bërë kështu, me apo pa VAR, e dërgon skuadrën e tij me një këmbë në rundin tjetër”.
Duke folur për radion spanjolle Cadena SER, gjyqtari i pensionuar i FIFA-s, Eduardo Iturralde Gonzalez, tha: “Për mua nuk ishte penallti sepse Suarezi është ai që e nis kontaktin duke e shkelur mbrojtësin”.