Sulmuesi i Fiorentinës, Kevin-Prince Boateng, thotë se paraja në futboll është mallkim, ndërsa futbolli është vetëm biznes tani dhe lojtarët nuk janë asgjë më shumë se numër.
Boateng jetonte një jetë luksoze dikur dhe thotë se ndihet i zhgënjyer me drejtimin në të cilin po shkon sporti i futbollit.
Sipas tij, në futboll nuk ka besnikëri dhe pretendon se shumë futbollistë janë të palumtur dhe plot stres.
“Të gjitha këto para janë mallkim. Futbolli tani është thjesht biznes dhe ne jemi vetëm numër. Nëse fytyra juaj nuk përshtatet, atëherë të zëvendësojnë, pikë. Nuk ka më besnikëri. Është pikëlluese”, tha Boateng për Bild.
“Natyrisht se futbolli është punë e profesionistëve, por paguhet aq mirë saqë bëhet burim i stresit. Presioni është shumë i madh, prandaj është e lehtë të flasësh për gjëra si depresioni. Ka momente kur argëtohem dhe ka momente kur nuk argëtohem”, shtoi ai, tansmeton express.
“Më parë argëtohesha vazhdimisht. Zemërohem kur i shoh djelmoshat që nuk e shfaqin talentin e tyre. E di se çfarë do të thotë ta çosh dëm talentin”, vazhdoi ish-ylli i Milanit dhe Barcelonës.
“Disa 19-vjeçar vozisin Mercedes, marrin paga dhe janë të lumtur. Janë plot talent dhe nuk bëjnë asgjë; nuk bëjnë stërvitje shtesë, asgjë. Dikur edhe unë e bëja këtë, por nuk mund ta bësh më këtë në futboll”, përfundoi ai.