Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, beson se Neymari do të duhej të kërkonte falje nëse dëshiron të kthehet në Barcelonë dhe të jetojë i qetë duke e rifituar zemrën e tifozëve të klubit katalonas. Ai gjithashtu ka rrëfyer se si braziliani ishte penduar menjëherë që u largua.
Braziliani Neymar iu bashkua Paris Saint-Germainit për 222 milionë euro në vitin 2017, duke i dhënë kështu fund një periudhë të suksesshme katërvjeçare në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.
Fatkeqësisht, karriera e Neymarit në Francë është dëmtuar nga problemet disiplinore dhe me lëndime, duke nxitur kështu shumë spekulime për të ardhmen e tij në klubin francez.
27-vjeçari nuk e la aspak sekret dëshirën e tij për t’u kthyer në Barcelonë verën e vitit të kaluar, mirëpo blaugranët nuk arritën marrëveshje me parisienët për transferimin e Neymarit, i cili në fund mbeti në Paris.
Neymari fillimisht ishte fishkëllyer nga tifozët e PSG-së në fillim të sezonit 2019/20 për tentimin e tij për t’u larguar. Në ndeshjen e 14 shtatorit kundër Strasbourgut, ai kishte përballur edhe me thirrje ofenduese nga tifozët e klubit të vet.
Një gjë e tillë mund ta presë brazilianin edhe nëse kthehet në Barcelonë, pasi që shumë tifozë mbajnë ende mëri për mënyrën se si ai u largua nga klubi, Mestre beson se ai duhet të bëjë shumë gjëra për ta fituar zemrën e tifozëve sërish.
“Nga ana emocione, shkaku i mënyrës se si ai u largua, nuk do ta transferoja atë sërish në klub. Por, nga ana sportive, po, do ta transferoja”, ka thënë Mestre.
“Nëse ai do të kthehej, do të duhej ta bënte një gjest të madh. Do të duhej t’i tërhiqte paditë ligjore kundër klubin, të kërkonte falje dhe ta jetonte një jetë pothuajse të përsosur”.
“Askush nuk e dinte se ai do të largohej sepse nuk i tregoi askujt. Ai nuk i tregoi as edhe një personi. Pastaj, filloi shpejt të qante me pendim dhe na tha se dëshironte të kthehej”.