Një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës saudite, i cili tani është duke jetuar në ekzil në Kanada, ka thënë në një intervistë se Princi Mohammad bin Salman është psikopat dhe se përbën kërcënim për popullin saudit, amerikanët dhe planetin.
Ish-zyrtari madje pretendoi se princi kishte bërë komplot për të dërguar një ekip në Kanada për ta vrarë atë para tri viteve dhe se ia ka burgosur dy fëmijët, Sarah dhe Omar, në Arabinë Saudite, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Një zëdhënës i qeverisë kanadeze tha: “Përderisa nuk mund të komentojmë për pretendime specifike tash për tash para gjykatave, jemi të vetëdijshmë për incidentet në të cilat aktorët e huaj janë përpjekur që ta vëzhgojnë, frikësojnë ose kërcënojnë kanadezë ose persona që jetojnë në Kanada.”
Televizioni CBS, që e realizoi intervistën me ish-zyrtarin saudit, tha se Arabia Saudite ka refuzuar të japë një intervistë, por ambasada e këtij shteti në Uashington doli me një deklaratë, në të cilën tha se Aljabri është një ish-zyrtar qeveritar i diskredituar.
Një grup i kompanive saudite do ta padisin këtë person në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada me pretendimin se ka vjedhur para nga buxheti i ndarë për luftën kundër terrorizmit. Aljabri i mohoi këto akuza në intervistë.