Rrëfime të grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ato janë dëshmitare të gjalla të dhunës që përjetuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Historia e grave të mbijetuara të torturës tash e 18 vjet mbetet e heshtur. Jo pak herë institucionet e shoqëria janë kritikuar se nuk është bërë gjë për to.
Por dhjetë prej tyre kanë vendosur ta thyejnë heshtjen e ta ndajnë historinë e tyre me të tjerët në librin “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”, botuar nga “Integra” e “ForumZDF”.
Edhe pse dhjetë rrëfime janë përqindje e vogël e rasteve të tilla – është raportuar se janë rreth 20 mijë gra që kanë pasur këtë fat – ideja e librit, të përuruar në maj të këtij viti në Prishtinë, është që të dokumentohet prej burimit kryesor një e kaluar fort e dhimbshme e Kosovës.
Në qershor, nëpërmjet këtij libri, rrëfimet e këtyre viktimave të shtetit serb u dëgjuan edhe në Serbi, në përurimin e mbajtur në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!“, që bëri bujë e u kundërshtua nga organizata nacionaliste.
Në ditët vijuese “Koha Ditore” i sjell këto dëshmi tronditëse si përkujtim për një krim të madh që mbetet i pandëshkuar, dhe në përkrahje të kërkesës së viktimave që t’u dëgjohet zëri.
I pari është rrëfimi i Teutës – emër ky i ndryshuar, për të mbrojtur viktimën.