Tre imigrantë kanë vdekur në jugperëndim të Francës, pasi janë goditur nga një tren kur ata ishin shtrirë në binarë, tha të martën një zëdhënëse e policisë franceze.
Zëdhënësja tha se katër imigrantë ndodheshin në binarë afër qytetit Saint-Jean-de-Luz, rreth orës 5 të mëngjesit, kur u goditën nga treni që po udhëtonte drejt Bordosë.
Ajo tha se tre imigrantë vdiqën menjëherë, ndërsa një tjetër është lënduar seriozisht, duke shtuar se nuk është e qartë se pse këta persona ishin shtrirë mbi binarë.
Dy imigrantë kishin kombësi algjeriane, ndërsa kombësia e të tjerëve nuk dihet.
Kryetari i qytetit, Eneko Aldana-Douat, tha për një televizion lokal se zona afër kufirit me Spanjën është rrugë kalimi që shfrytëzohet nga imigrantët.