Ishte vetëm 8 vjeç në luftë, flet zyrtari i MD-së që u intervistua për dy ditë nga Specialja

Prishtinë | 07 Gus 2019 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Rilind Berisha, personi që  gjatë luftës së fundit në Kosovë kishte vetëm 8 vjet, është intervistuar na prokurorët e Hagës.

Ftesën, Berisha e kishte marrë më 18 korrik të këtij viti për t’u paraqitur para zyreve të Prokurorit të Specializuar, shkruan lajmi.net.

Nga kjo Prokurori, të cilën ai e kishte quajtur të paarsyeshme, Berisha u intervistua për dy ditë rradhazi.

Këtë e ka konfirmuar  vetë Berisha për lajmi.net.

“Jam intervistuar dje e pardje”, ka thënë shkurt ai pa specifikuar se në çfarë cilësie.

Mirëpo, sipas avokatit të akredituar të Speciales, Tomë Gashi, personi në fjalë mund të intervistohet vetëm në cilësinë e dëshmitarit.

“Sigurisht që Kodi Penal i Kosovës por edhe Ligji për Gjykatën Speciale nuk lejon që askush të ndiqet penalisht nëse ka qenë në moshë të mitur. Dhe në moshë të mitur askush nuk ka përgjegjësi penale, por duhet të definohet se për çfarë është ftuar ai, mund të jetë ftuar në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë sqarime eventuale, por tjetër arsye nuk ka”, kishte thënë Gashi për lajmi.net.

Berisha aktualisht është zyrtar i ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, Specialja më herët kishte intervistuar edhe kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Ramush Haradinajn në cilësinë e të dyshuarit.

Ai para prokurorëve të Hagës u mbrojt në heshtje, teksa intervistimi i tij nuk zgjati më shumë se rreth një orë. 

Të ngjashme