Islami: Kërcënimet e politikanëve mesazh i keq për sigurinë, drejtësia të merret me personat përgjegjës

Prishtinë | 30 Dhj 2019 | 15:34 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, anëtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, kërcënoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me vrasje dhe dëbim nga vendi.

Thirrjet e tilla për vrasje e dëbim nga vendi, siç edhe kishte shkruar Hoti, nga njohësi i çështjes së sigurisë, Avni Islami po konsiderohet të jetë një rast shqetësues.

Islami i tha Ekonomia Online se ky rast klasifikohet si nxitje e urrejtjes dhe një mesazh i keq për të gjithë opinionin.

“Kërcënimi në mënyrë direkte ndaj kryeministrit në ardhje Albin Kurti nga  një zyrtar i një subjekti politik e aq më tepër një ish kandidat për deputet të Republikës së Kosovës është paksa shqetësuese për shkak se është një mesazh i keq edhe për opinionin e përgjithshëm dhe për të gjithë kundërshtatrët politik të subjekteve të tjera. Kësisoj jo pse do të mund të merren si rrezik në rastin konkret por ai rast do ta klasifikojë  si nxitje të urrejtjes dhe thirrje për vrasje dhe dëbim të një kryeministri të Kosovës”, tha Islami.

Sipas Islamit, Albin Kurti përfaqëson gjysmën e popullit të Kosovës dhe për ta dëbuar atë duhet të dëbohen gjysma e shqiptarëve.

 “Gjatë asaj se çfarë ka deklaruar ai në Facebook se duhet të dëbohet, secili duhet ta dijë se  kryeministri në ardhje, Albin Kurti ai përfaqëson mos të them gjysmën e popullit të Kosovës dhe për ta dëbuar atë duhet t’i dëbojë si në kohën e Millosheviqit gjysmën e shqiptarëve të Kosovës”, theksoi më tej Islami.

Ndërsa, për veprimin e Kurtit, i cili kërkoi që Hoti të lirohet dhe të presë Vitin e Ri në shtëpi së bashku me familjen e tij, Islami po e cilëson si një gjest human i cili duhet të admirohet.

“Gjesti i Albin Kurtit është gjest që duhet të admirohet  dhe është një gjest human dhe njerëzor intelektual dhe kësisoj ai ka përçuar një mesazh se në emër të fjalës së lirë nuk do dua të flas dhe të kërcënoj askënd”, tha njohësi i çështjes së sigurisë.

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm ku politikanët kërcënohen. Kështu sipas Islamit ky është një mesazh i keq për sigurinë në vend, i cili po ndodh në një kohë kur ende nuk është formuar Qeveria e Kosovës.

“Madje e patëm edhe djalin e Isa Mustafës ku është kërcënuar edhe ai kanosje me vdekje, por që secili qytetar para ligjit është i njëjtë, por pesha dhe rëndësia në kohë dhe rrethana në të cilat është Kosova ku ende nuk kemi institucione, pra ende nuk është formuar qe sa Qeveria e Kosovës, mendoj që është një mesazh i keq”, u shpreh ai.

“Me të vërtetë është një përçim i keq te qytetarët se si është e mundur që përfaqësuesit të lartë të subjekteve politike të kërcënojnë kundërshtarin e tij politik duke ditur që para ligjit janë të gjithë të njëjtë”, tha Islami.

Më tej, Islami thotë se Hoti dhe të gjithë ata që bëjnë kërcënime të zyrtarëve duhet të dalin para drejtësisë dhe të dënohen.

“Mendoj që duhet të ndërmerren masa për secilin i cili në mënyrë direkte ose përmes rrjeteve sociale po bëhet kërcënimi i zyrtarëve, ai të dalë para drejtësisë dhe të dënohet në mënyrë që t’ju tregojmë edhe opinionit, qytetarëve se në Kosovë funksionin ligji dhe se nuk mund të kërcënohet në emër të fjalës dhe lirisë dhe të flasë se çka të dojë secili, sepse gjithçka është e sanksionuar me ligj”

Sipas Islamit, secili zyrtar politik që mendon se mund të bëjë diçka përmes kërcënimeve e shantazheve, vetëm se do ta dëmtojë subjektin politik të cilit i takon.


“Për fat të keq disa raste ka pasur ku është involvuar partia e Nismës dhe mendoj që ata të cilët kanë sjellë probleme subjektit politik të Nismës më së keqi i bëjnë pra vetë subjektit politik. Secili që mendon se përmes kërcënimeve dhe shantazheve mund të bëjë diçka, ai vetëm do ta dëmtojë subjektin prej nga i  cili vjen”, theksoi ai.

“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kur është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtet të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, ishte statusi i Hotit në Facebook, të cilin më vonë e ka fshirë duke u arsyetuar se gjithçka ishte një gabim teknik.

Të ngjashme