Islami: Sistemi i drejtësisë nuk po funksionon, po instalohet metodologji e re e plaçkitjeve

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 14:34 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krahasuar me vitet paraprake, në vitin 2018-të është rritur numri i  plaçkitjeve nëpër qytete të ndryshme në Kosovë. Plaçkitjet me armë kanë lënë edhe të vdekur . Rasti i fundit ishte vdekja e policit të Kosovës, Izet Demaji cili u vra në konfrontim me hajnat.

Sipas, njohësit të çështjeve të sigurisë, Avni Islami, kjo rritje e dukshme e plaçkitjeve është indikacion se në Kosovë po instalohet një metodologji e re e plaçkitjeve , e përdorur edhe më herët në vitet e 70-ta nga mafia në vende ku nuk ka funksionuar ligji, por që tek ne është e re, pasi sipas tij nuk ka pasur më parë raste të tilla të plaçkitjeve të rënda në Kosovë.

Islami ka vlerësuar se një mangësi e tillë në sigurinë e kompanive, marketeve, dyqaneve e bankave, është e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që sipas tij nuk po funksionon siç duhet. Ai tha se gjendja ekonomike e sociale është vetëm një nga faktorët që kanë bërë që numri i plaçkitjeve të rritet.

“Gjendja ekonomike dhe sociale është vetëm një nga faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e grabitjeve të armatosura. Por mendoj se sistemi i sigurisë, mekanizmat e drejtësisë, duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjykatat kanë diku një mangësi ku do duhej që me kohë sektorët e analitikes të merren me këtë fenomen që t’i parandalojnë dhe të mos t’i lejojnë të vijnë deri tek këto plaçkitje të armatosura. Pra, sistemi i drejtësisë nuk e ka menaxhuar ose e ka keqmenaxhuar situatën në periudhë të caktuar”, tha ai për Ekonomia Online.

Islami ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të dalin me plan operativ dhe strategji që të parandalojnë plaçkitjet.

“Duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të ndryshojnë qasjen ndaj këtij fenomeni dhe t’u përgjigjen me masa adekuate për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, tha ai në një intervistë për EO.

Islami ka thënë se shpreson që kjo metodologji të mos jetë e importuar nga Shqipëria, metodologji plaçkitjesh për të cilën ai ka thënë se ndodh vazhdimisht aty.

“Janë disa faktorë që kanë ndikuar që të rritet numri i kriminaliteteve, pra gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, mirëpo uroj që kjo metodologji e re mos të jetë e importuar nga Shqipëria, se atje për çdo ditë dëgjojmë për raste të plaçkitjes dhe të vrasjeve me armë të gjata dhe bomba teledirigjuese. Kjo uroj të mos na vie edhe ne në Kosovë”, tha ai.

Të ngjashme