Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka folur në një intervistë për Ekonomia Online për takimin që sot bashkë me liderin e PDK-së, Kadri Veseli kanë zhvilluar me presidentin Hashim Thacci për ngërçin e krijuar në vend pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Ismaili po ashtu ka folur edhe për pakon financiare që duhet të bëjë Qeveria për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat dhe bizneset, si dhe për mënyrën se sip o menaxhon qeveria në largim pandeminë me coronavirus.
“Po ne iu përgjigjëm ftesës së Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, që kishte për të bërë një konsultim me gjitha partitë parlamentare. Natyrisht qëndrimi jonë është që në të gjitha opsionet të cilat janë tani, më e rëndësishme është ajo që të ruhet Kushtetuta e rendi kushtetues dhe çfarëdo zgjidhje që del, të jetë duke respektuar Kushtetutën e Kosovës. Ajo e cila është krijuar, një krizë e cila ndodhi për shkak të një mosbesimi të partnerëve të koalicionit. Pra, duhet reaguar sa më shpejtë që të dalim nga kjo situatë, por natyrisht pse kemi nevojë për një tempo të shpejtë, kjo nuk nënkupton që duhet të thyhen rregullat e Kushtetutës. Pra duhet të kemi një qëndrim mjaft të qartë si parti politike, që mbi partitë është Kushtetuta e Kosovës. Qëndrimi jonë është mjaftë i qartë. Ne si PDK, që nga 6 tetori kemi theksuar se jemi parti opozitare dhe do të jemi opozitë dhe kjo tregon që për neve kjo lojë politike që është duke ndodhur mes këtyre që e shkaktuan krizën, nuk është lojë për pushtet por për ne është me rëndësi që të ruhet Kushtetuta e Kosovës. Por në anën tjetër, t’i jepet një zgjidhje situatës sepse qytetarët tanë janë duke pritur që kjo situatë të mos zgjatë më shumë ngase e thelluan ata që filluan qeverisjen, por që duhet të krijojnë një situiatë të re, pra të krijojnë mundësi që ta bëjnë qeverinë dhe të vazhdohet përpara”, tha Ismaili.
Ai ka folur edhe për interpretimet që kryeministri në detyrë Albin Kurti po i bënë për daljen nga kriza politike.
“Partitë politike është mirë të thirren në rregulla dhe jo në interpretime politike. Ju e keni parë se para disa ditësh, ishte një vendim i Gjykatës Kushtetuese që tregoi se qeveria Kurti, në krye me Albin Kurtin, ka bërë një shkelje kushtetuese, dhe pikërisht duke bërë interpretimet politike të pabazuara në ligj. Pra ata tashmë njihen edhe si shkelës të Kushtetutës dhe mendoj se si i tillë moralisht dhe profesionalisht, nuk iu jepet të drejtë të flasin për veprimet Kushtetuese. Në cv-në e tij të dëmtimeve të shumta që i ka bërë Kosovës, tani e ka edhe një njollë tjetër, i cili është një shkelës i Kushtetutës”, ka thënë ai.
Sekretari i PDK-së ka folur edhe për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhje të reja në këtë kohë pandemie. Ka thënë se është hipokrizi të kërkosh zgjedhje, e në anën tjetër të bësh thirrje për qëndruar në shtëpi.
“Ne mendojmë se kjo është një hipokrizi e madhe. Në njërën anë të bësh videospote, të thuash se është mirë të rrish në shtëpi, e në anën tjetër të thuash se është mirë të shkojmë në zgjedhje, pra këto dyja nuk qëndrojnë njëra me tjetrën, sepse zgjedhjet nënkuptojnë fushatë zgjedhore, tubime partiake, që në rast të pandemisë siç jemi tani, do të nënkupton rritje enorme të rasteve me coronavirus. Prandaj, kjo është ajo hipokrizia që kërkon zgjedhje në pandemi, kur e din që ato nuk mund të ndodhin tani. PDK-ja çdo herë që janë mundësitë për të pasur zgjedhje, jemi për zgjedhje. Pra nuk kemi asnjë lloj dyshimi se kjo çka e flasim, e flasim duke u bazuar në vullnetin e popullit dhe jemi shumë të sigurt që ne do të dilnim jashtëzakonisht mirë në zgjedhje dhe do të kërkojmë që zgjedhjet të mbahen një orë e më pare. Mirëpo jo me këto lojëra politike, që ejani tani të shkojmë në zgjedhje kur gjithë populli është i mbyllur, kur bizneset janë të paralizuara e njerëzit nuk marrin rroga, të kërkohet që të shkohet në zgjedhje është një dyfytyrësi shumë e madhe”, ka thënë Ismaili.
Ismaili I cili në mbandatin e kaluar ishte ministër I Shëndetësisë, ka bërë thirrje që të kryhen sa më shumë testime tek qytetarët për coronavirus sepse vetëm në këtë mënyrë mund të menaxhohet trajtimi sa më adekuat i pandemisë.
“Këtu mendoj që hapat që janë ndërmarrë, natyrisht që janë hapa në drejtim të duhur, por ajo që duhet bërë është të jemi pak më intensiv dhe më të fokusuar që ato me ato hapa të kemi një progress. Pra siç rritet Coronavirusi në Kosovë, ashtu duhet të rriten edhe hapat tonë, që ta luftojmë atë. Pra ne nuk mund të mbesim me ato hapa që i kemi nisur para 3 jave. Prandaj unë mendoj që të dilet nga kjo situatë janë dy fusha që ne duhet të veprojmë: E para është shëndetësore. Duhet të kemi testime më të shpeshta. E ka thënë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, që testimet janë tejet të rëndësishme, pra kjo është në aspektin shëndetësorë që ne duhet të bëjmë. Në anën tjetër duhet edhe pakon financiare, pra për të gjithë qytetarët dhe bizneset në Kosovë, sa më shpejtë ta nxjerrim dhe këtu është rreziku i dytë që qeveria Kurti po e bënë, sepse dihet që buxheti i Kosovës, mund të ristrukturohet vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit dhe Albin Kurti ka propozuar një pako duke e anashkaluar fare Kuvendin, madje e ka quajtur Kuvendin si kokëçarje, dhe këtu është rreziku që ai po futet edhe në një shkelje të re Kushtetuese, pra që tregon pak për mentalitetin e tij që për momentin, rregullat dhe rendi Kushtetues dhe demokratik fare nuk është në plan të tij. Në plan të tij është promovimi i tij personal, duke i shkelur çfarëdo rregulla apo neni të Kushtetues. Ne kërkojmë që Kuvendi të mblidhet, ne kërkojmë që pakoja që është 150 milionë euro, është tejet e vogël, pra ajo të jetë së paku 300 milionë euro, në të kundërtën, do ta zgjasin krizën, pra nuk do të dalim nga kriza por do ta zgjasim krizën ekonomike, efektet e së cilën do t’i ndiejn familjet në Kosovë”, tha Ismaili.