Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku me drejtuesit e spitalit ka biseduar për punën që bëhet në këtë spital, sfidat dhe nevojat e tij.
Gjithashtu, ministri ka vizituar edhe pacientë në Repartin e Emergjencës që me rastin e vizitës kane qenë duke u trajtuar aty.
Ministri Ismaili tha se është koha që shteti ta rrisë mbështetjen për shëndetësinë, kurse punëtorët shëndetësorë transparencën, cilësinë e shërbimeve dhe llogaridhënien.
“Vetë nuk mund ta bëjmë këtë, por bashkërisht”, tha ministri Ismaili, duke siguruar se “logoja” e punës së tij dhe e ministrisë do të jetë pacienti.
Unë jam sot këtu, shtoi Ismaili, për t’i siguruar stafin dhe pacientët se MSh-ja do të jetë mbështetja e tyre. “Vetë mesazhi i kësaj vizite është sigurimi që pacientët t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësor”.
Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, dr. Hamëz Berisha, falënderoi ministrin Ismaili për vizitën dhe gatishmërinë e tij për ta mbështetur këtë spital dhe stafin e saj, ndërkohë që shprehu zotimin se do të jenë të përgjegjshëm në punën e tyre dhe presin mbështetje.
Drejtori Berisha, gjithashtu, ka prezantuar para ministrit, sfidat e këtij spitali që kanë të bëjnë me mungesën e stafit, kryesisht e infermierëve, problemet me buxhetin e pamjaftueshëm, problemet me ngrohje, nevojën për ndarje të disa specializimeve, etj., përderisa ka kërkuar mbështetje për hapjen e Repartit të Pediatrisë në kuadër të këtij spitali.