Anëtarja e PDK-së, Besa Ismaili ka kërkuar një zgjidhje emergjente për mbrojtjen e qytetarëve nga sulmet e qenve endacak, ku së fundi një e moshuar në Podujevë pësoi infarkt dhe humbi jetën nga frika gjatë përndjekjes nga qentë, raporton Ekonomia Online.
“Situata ka dalë jashtë kontrollit. Qentë endacakë janë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Tragjedia në Podujevë, ku një e moshuar pësoi infarkt dhe humbi jetën nga frika gjatë përndjekjes nga qentë, është vetëm maja e ajsbergut. Janë qindra raste sulmesh ndaj fëmijëve, grave, pacientëve në QKUK dhe aksidente të shumta në trafik. Përhapja e sëmundjeve vetëm sa e përkeqëson situatën. Dhe institucionet? Heshtin! Neglizhojnë! Justifikohen. Sa jetë të tjera duhet të rrezikohen që të veprojnë?! Sa fëmijë duhet të lëndohen që ata të hapin sytë?! ”, ka shkruar ajo.
Nëse institucionet tona nuk janë të afta të zgjidhin rrezikun nga qentë endacakë, si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë publike në Kosovë, sipas saj atëherë cilin problem rajonal apo global të sigurisë mund të zgjidhin.
“Institucione: Veproni tani. Kapni dhe strehoni qentë endacakë, siguroni një zgjidhje afatgjatë. Çdo minutë tutje është vonesë. Çdo vonesë është krim. Nëse institucionet me neglizhencën dhe justifikimet e tyre sollën këtë situatë që të përshkallëzohet deri në këtë pikë kur qytetarëve u kufizohet madje edhe liria e lëvizjes, ato janë fajtore dhe bashkëfajtore për krejt këto pasoja. Mjaft më”, ka shkruar Ismaili.