Instituti Columbus ka organizuar bashkëbisedim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, në kuadër të ciklit të intervistave të projektit “Monitorimi i Prokurimit për Sistemin e Sigurimeve Shëndetësore”, raporton Ekonomia Online.
Ministri Ismaili tha se Fondi i Sigurimit Shëndetësorë ka një bashkëveprues direkt që është ShSKUK-ja dhe mjekësia primare. Sipas Ismailit ato asnjëherë nuk janë përfshirë në këto procese për të qenë bashkautor të realizimit.
“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është funksionalizuar si administratë dhe institucion, ka filluar me marrë formën e një institucioni që duhet ta ketë për me menaxhu një fond me miliona euro të mbledhur nga shumë qytetarë. Në mungesë të një organizate dhe institucioni kush është përgjegjës asgjë tjetër s’është më e rëndësishme se ajo. Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka një bashkëveprues direkt që është ShSKUK-ja dhe mjekësia primare, ato asnjëherë nuk janë përfshi në këto procese për të qenë bashkautor të realizimit. Për këtë për ka qenë e rëndësishme që t’i qartësojmë detyrat dhe përgjegjësitë”, tha Ismaili.
Sipas Ismaili në legjislaturat e kaluara të Ministrisë së Shëndetësisë, asnjëherë s’ka pasë një pasqyrë të mirë të sistemit të shëndetësisë.
Sipas tij këtë e kanë treguar edhe raportet e Auditorit.
“Në kohën kur unë kam marrë mandatin ajo që mund të them që ka pasë një raport të Auditimit i cili ka përfunduar në javën kur kam ardhë unë, kështu që ky raport tregon më së miri gjendjen në të cilën ka qenë shëndetësia. Asnjëherë s’ke pasë një situatë që mund të thuash që këtu kemi një pasqyrë të mirë dhe këtu është gjithçka në rregull. Në kohën e Aganit ka qenë një projekt që ndoshta do të ndryshojë aty sistemin shëndetësorë, por nuk u realizuan objektivat. Në atë kohë kemi pasë një shpërfillje të një projekti nacional”, tha Ismaili.
I pari i Shëndetësisë tha se ka pasë ide për sigurimet shëndetësore, por që kanë mbetur vetëm ide.
“Ka pasë një interpretim nga një ekspert i Bankës Botërore që të shkohet në një fazë të pilotimit për SISh-in, por me kalimin e kohës e kemi pa që ajo nuk është e mundshme. Ne kemi parapa një situatë çfarë ka nevojë. Ideja për sigurime shëndetësore ka qenë, por puna nuk është bë. Ka pasë ide për nisje, ka pasë edhe dokument si ishte dashur të ishte, por ajo nga e thëna në të bërë ka qenë ide e vdekur tërësisht”, tha Ismaili.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dje ka pritur në takim Ministrin e Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn me ç’rast ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e shëndetësisë.
“Sot kemi një sistem të fondit i cili është në implementim dhe është duke i realizuar dhe në momenti kur hyn ky sistem i ri, fondi do ketë mundësinë edhe të mbledhjes së parave, por edhe të kontrollit. Marrëveshja me Gjermaninë, Kosova nga kjo marrëveshje përfiton ekspert gjerman direkt në fushën e sigurimeve shëndetësore”, tha Ismaili, raporton EO.