Në kuadër të javës Ndërkombëtare të Infermierisë, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor të Kosovës, u mbajt konferenca e parë vendore me qëllim që të forcohet roli i tyre në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe që të nderohen infermierët që kanë kontribuar gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se infermierët janë pjesa më vitale e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e çmuar të infermierëve gjatë luftës dhe në rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor në Kosovë, Ismaili tha se fakti që infermierët e Kosovës paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm dhe ata po kërkohen nga vende të ndryshme, i bën institucionet dhe këtë komunitet që të punojnë edhe më shumë në mënyrë që perspektiva dhe e ardhmja e tyre të realizohet në Kosovë dhe jo në vende të tjera.
“Ne po punojmë që sistemi ynë shëndetësor t’u përgjigjet kërkesave të infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor. Shëndetësia jonë do të jetë çdo ditë e më e mirë dhe në këtë kuadër, po punojmë që infermierët si pjesa më vitale e sistemit tonë të kontribuojnë këtu në funksion të avancimit të sistemit, fuqizimit të rolit të tyre dhe sigurimit të shërbimeve cilësore për pacientët tanë”, tha Ministri Ismaili.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, tha se infermierët kosovarë jo vetëm në luftë, por gjatë tërë viteve bënë më të mirën, duke mos kursyer asgjë nga vetja, për të qenë afër pacientëve, kur këta u dëbuan edhe nga institucionet shëndetësore.
“Me përfundimin e luftës, sprova për infermierët nuk përfundoi. Paslufta, tha ai, nuk na gjeti shumë dinjitetshëm dhe shpesh jemi ballafaquar me anashkalimin dhe diskriminimin që nuk e kemi merituar, por, ne si komuniteti më i madh shëndetësor, kemi vazhduar të bëjmë punën tonë, duke mos kursyer asgjë nga vetja”. Ai bëri thirrje që të reflektohet dhe të vlerësohet puna e infermierëve, angazhimi, mundi dhe shkollimi i gjithë stafit infermieror dhe shëndetësor, në mënyrë që për qytetarët kosovarë të ketë shërbime sa më të mira shëndetësore.
Kryetari i Komunës se Ferizajt, Agim Aliu tha se përmes kësaj konference përkujtojnë ata që gjatë kohës së luftës janë angazhuar për t’i shëruar plagët për çlirimtarët.
Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Rrahaman Jakupi, tha se roli i infermierëve gjatë luftës dhe në paqe është shumë i rëndësishëm.
Konferenca e organizuar nga OIK po trajton tema që në fokus kanë rolin e shërbimit infermierik gjatë periudhës së luftës në Kosovë si dhe në dy dekadat e pas luftës në Kosovë dhe po mbahet në vigjilje të shënimit të Javës së Infermierisë në Kosovë.
Qëllimi i Konferencës është që të forcohet roli i Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, promovimit dhe përmirësimit të shëndetit të popullatës së Republikës së Kosovës.
Organizimi i konferencës është bërë në bashkëpunim me komunën e Ferizajt dhe të Shtimes.