Pabarazia në shpërndarjen e burimeve dhe fondeve të qeverisë qendrore është e papranueshme si praktikë, por ka qenë e pranishme për të gjitha komunat në Kosovë që nuk janë qeverisur nga LVV, ka thënë kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili, raporton Ekonomia Online.
Ajo thekson se kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka ekspozuar një situatë të qartë të anashkalimit politik nga pushteti qendror, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti.
“Ai ka deklaruar se asnjë kërkesë e komunës nuk është plotësuar nga ana e kryeministrit, përfshirë edhe sigurimin për mbrojtje të afërt që ia kishte premtuar personalisht kryeministri Kurti por nuk e kishte realizuar kurrë, ndryshe nga rasti me dy kryetarët nga rradhët e LVV-së në këto komuna. Kujtojmë faktin se ndërtesa e komunës së Zveçanit ishte goditur me granatë dy herë vetëm brenda një jave”, ka shkruar Ismaili duke postuar dhe foto nga vizita e bërë në këtë komunë.
Kjo sjellje, sipas saj është një shembull i pastër i keqpërdorimit të pushtetit, duke minuar qeverisjen e mirë dhe besimin e qytetarëve.
“Pabarazia në shpërndarjen e burimeve dhe fondeve të qeverisë qendrore është e papranueshme si praktikë por ka qenë e pranishme për të gjitha komunat në Kosovë që nuk janë qeverisur nga LVV. Por rasti i administratave komunale në veri është kupolla e hipokrizisë së kryeministrit Kurti për shumë arsye.Përzgjedhja e preferencave të kryeministrit në favor të komunave si Leposaviqi, duke lënë pas dore Zveçanin, tregon trajtim preferencial të komunave për arsye politike vetëm të pushtetit së tij, në dëm të unitetin kombëtar dhe barazisë së qytetarëve”, thekson ajo.