Ministri i Shëndetësisë,Uran Ismaili, ka folur mbi rastin e abortit të vajzës nga Drenasi, për të cilin ka thënë se gjinekologu nuk ka pasur licencë në kohën e kryerjes së abortit të saj, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se institucionet private shëndetësore duhet të bëjnë kërkesë për rilicencim pas skadimit të licencës së parë, duke shtuar se një barrë e tillë bie vet mbi ta e jo mbi ministrinë.
“Rasti i të miturës nga Drenasi ka qenë rast që e ka prekë ndërgjegjen e shoqërisë, nuk ka qenë rast i izoluar për një shtresë. Përpos dhimbjes ne e kemi edhe një obligim shtesë me politika konkrete. Bazuar në Ligjin për Shëndetësi shërbimet ofrohen në institucione publike dhe ato private. Në Kosovë ekziston një numër i madh i tyre. Nga informatat e fundit, në sektorin privat janë 1666 institucione private të licencuara shëndetësore, nga to 28 janë spitalore”, tha ministri Ismaili.
“Bazuar në legjislacionin aktual licencat lëshohen për pesë vjet dhe rilincencimi nuk bie mbi MSH-në, por mbi atë që e ka kërkuar licencën. Secila ambulantë i cili është i licencuar dhe që ka nevojë për të ta ketë aplikimin për rilicencim 2 muaj para se t’i skadojë. Ordinanca që ka bërë abortin ka qenë e palicencuar dhe barra bie mbi atë ordinancë. Barra e përgjegjësisë është që të kemi kërkesë paraprake për rilicencim”.
Ministri Ismaili tha se ambulatës së gjinekologut Fehmi Ahmeti, që dyshohet se ka kryer abortin i ka skaduar licenca.
“Ambulantes së gjinekologut, Fehmi Ahmeti, që ka qenë i dyshuar për kryerje aborti i ka skadu licenca. Vetë doktori ka pasë licencë, por licenca për intervenime jepet tek institucioni privat. Për abort kërkohen disa kushte që parashihen me Ligj edhe ato kushte ambulanta nuk i ka bë. Vajza ka kry abortin kur ambulanta nuk ka pasë licencë që e ka rreziku shëndetin e vajzës, por edhe e ka shkelë legjislacionin në fuqi. Ambulanta nuk ka ardhë më kërku licencë”, tha Ismaili.
Ai ka treguar se hetimet kanë filluar jo vetëm nga prokuroria, por edhe nga Oda e Mjekëve.
“Kanë filluar hetimet jo vetëm nga aspekti prokurorisë, vet Oda e Mjekësve ka fillu hetimet për shkeljet. Ky vendim është dërguar tek të gjitha institucionet përgjegjëse si SSHSUK, Klinikën Gjinekologjike etj. Ka pasë disa shkelje që gjinekologu i ka bë, shkelje etike, ligjore. Prandaj si rast natyrisht tregon rëndësinë e rilicencimit të të gjitha institucioneve private. Arsyen pse ne dhe ju kemi arrit t’i vendosim disa kushte është që ta ruajmë pacientin”, tha ai.
“Sa i përket inspektoratit, janë 10 inspektorate shëndetësore edhe për vitin e ardhshëm parashohim që ky numër të dyfishohet dhe të rrisim numrin e inspektorëve farmaceutikë. Atë që duhet të kuptojmë është se numri inspektorëve shëndetësor duhet të rritet, por obligimi i ordinancave private është që të bëjnë rilicencim. Gjithçka tjetër është në kundërshtim me ligj”, tha ai.
Ismaili tha se duhet të vendosen politika që e ndalin mundësinë që të mos ndodhin më raste të tilla.
“Dhimbja emocionale e pacientes dhe ajo që ne na u ka lëndu ndërgjegjja si shoqëri duhet të krijojmë një energji tonën që të mos ndodhin më raste ë tilla. Me vendosë politika që e ndalin mundësinë që një fëmije tonë t’i ndodhë një gjë e tillë”, tha ministri Ismaili.
Ministri Ismaili ka thënë se gjendja e mjekëve nuk ka qenë asnjëherë më e mirë sa i përket pagave, ashtu si edhe për inspektorët.
“Ligji për Paga, ka qenë kërkesë e imja që të rritet paga e inspektorëve. Nuk më është aprovu sa kam dashtë. E kanë aprovuar deri diku, inspektorët kanë 840 euro. Sa i përket ikjes së mjekëve mendoj që kemi bë një hap historik në pagat e mjekëve. Asnjëherë nuk janë trajtuar pagat e mjekëve si tani. Një rrogë që ka qenë 600 euro e kemi bë 1200 euro”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa numrin e madh të institucioneve shëndetësore private e arsyetoi me gjendjen financiare të mjekëve dhe cilësinë e shërbimeve në institucione publike.
“Arsyeja pse ka kaq shumë institucione private është e para pagesa e vogël për mjekë dhe është detyruar me qelë një ordinancë dhe e dyta neglizhenca e shërbimeve shëndetësore publike dhe shkuarja e pacientëve në ato private”, tha Ismaili.
Ai njoftoi se ka filluar edhe sistemi elektronik i cili zyrtarisht i njofton akterët për përfundimin e licencës së tyre.
Ndërsa edhe për çështjen e mjekut shkollor, të cilën e ngriti deputetja Flora Brovina, ai tha se ky komision duhet të kërkojë përkrahje të kryetarëve të komunave për një gjë të tillë.
Për rastin e skandalit të stendave dhe mjekut të cilin Millaku e shtroi, Ismaili tha se në këto raste faktor është policia.
“Si polici unë nuk mundem me ndalë kë policia thotë është shpallë i pafajshëm. Nëse e shihni si deputetë që duhet të ketë tërheqje morale të mjekëve ngriteni me emër mbiemër”, tha ai.