Për herë të parë Klinika e Kirurgjisë Torakale është pajisur me VATS në vlerë prej 64 mijë euro, raporton Ekonomia Online.
Kjo aparaturë rritë cilësinë dhe sigurinë e ndërhyrjes, zvogëlon mundësinë për infeksione dhe përshpejton kohën e rehabilitimit të pacientit.
Ministri Ismaili, gjatë përurimit të këtyre pajisjeve, tha se duke luftuar korrupsionin në shëndetësi është bërë e mundur që të kursehen më shumë para të cilat po kthehen në investime për klinikat dhe spitalet tona.
“Sot në Kirurgjinë Torakale përuruam pajisjen e re të VATS-it dhe Bronkoskopin. VATS-i i ri do të rritë shumë sigurinë e pacientit në operacione dhe do të mundësojë rehabilitim më të shpejtë të tij”.
“Meqenëse operimet e tilla në privat sillen nga 25 deri në 40 mijë euro, ne kemi bërë një ndërhyrje që direkt prekë jetën e pacientëve dhe buxhetin e familjeve”.
Më tutje, ai ka thënë se duke luftuar korrupsionin ka nisur të kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor.
“Miliona euro të shpëtuara në blerjen e barnave i kemi kthyer në orientimin e duhur të cilat tani janë në shërbim të plotë të pacientëve, qytetarëve dhe familjeve”.
“Pajisjet po shkojnë në të gjitha Klinika, kjo kërkon kohë, por jemi duke luftuar korrupsionin”.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu tha se çdo ditë janë duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe blerjen e pajisjeve në mënyrë që pacientët të marrin shërbimet e duhura.
“Qëllimi është që të shkojmë drejt një mjekësie moderne në përmirësimin e infrastrukturës dhe blerje të pajisjeve në mënyrë që pacientët të kenë ku të shkojnë”.
“Me pajisjet e reja synojmë që të rritet gama e shërbimeve”.
Një operim i tillë në klinikat private u ka kushtuar qytetarëve 25 deri në 40 mijë euro.