Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar ndërtimin e aneksit të Radiologjisë dhe blerjen e CT-së së re në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë këtij përurimi, ministri Ismaili tha se tani qytetarët e Prizrenit do të kenë në dispozicion një repart modern për shërbime mjekësore.
Ndërtimi i këtij aneksi dhe blerja e aparaturave të reja ka kushtuar mbi 600 mijë euro.
“Një hapësirë moderne dhe një aparatura profesionale. Duke realizuar një investim si ky arrijmë që profesionistët të përmbushin potencialin e tyre dhe për pacientët për shërbime cilësore. Kemi pasur ankesa të mëdha shpenzime nga xhepi i tyre. Kjo është ditë e mire për qytetarët e Prizrenit. Rezulton që të kemi edhe një shëndetësi moderne”.
“Viti 2019 po e përmbyllim me një tjetër lajm shumë të mirë për shëndetësinë. pas këtij investimi, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit u bë me një repart modern të Radiologjisë. E pajisur me CT të re, aparaturë përcjellëse moderne dhe kushte optimale të punës, ky repart do të rrisë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore”, ka thënë ministri Ismaili.
“Qytetarët e Shqipërisë së Veriut i kemi konsideruar si qytetarë që sa herë kanë nevojë mund të marrin shërbime. Spitali i Prizrenit duhet më pas një qendër me disa shërbime terciare. Sepse e shkarkojmë QKUK dhe u krijojmë mundësi popullatës të marrin shërbime në nivel vendi. Ka qenë një demoralizim i madh të sektorët e shëndetësisë”, tha ai.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, deklaroi se puna e ministrit dhe kontributi i ShSKUK-së kanë bërë që ky projekt të jetë i realizueshëm.
Avdaj potencoi se tani qytetarët do të marrin shërbime cilësore në ambiente moderne.
“Është një ditë e veçantë sepse po inaugurojmë një projekt në vlerën prej 600 mijë euro me pajisje të reja. Kjo do të jetë informata më e re për qytetarët e Prizrenit dhe rajonit për vitin e ri. Puna dy vjeçare e ministrit dhe kontributi i SSHKUK-së kanë ndihmua që ky projekt të jetë i realizueshëm. CT ka ardhur si investim i ministrisë dhe është aktivizuar tani qytetarët do të marrin shërbime cilësore. ERCP nuk ka funksionuar në Prizren e kemi fituar si donacion dhe është aktivizuar tani”, tha ai.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, deklaroi se së shpejti do të bëhet qendra e dytë terciare në nivel të Kosovës, e cila do të jetë në Prizren.
“Jemi në hapësirat e diagnostikues dhe furnizimit me pajisje të reja. E gjithë kjo është bërë për të mirën e pacientit. Një qendër të dytë terciare që e kemi në plan, CT e reja dhe këto ambiente moderne vitin e ardhshëm do të vazhdohet njëjtë”.
“Kardiologjinë e re inovazive në Prizren mendojmë ta bëjmë që të jemi sa më afër pacientit. Prizreni dhe rrethinë të jetë një qendër të avancuar për shërbime moderne”, u shpreh Sejdiu.
CT-ja e re 16 shtresore do të heqë edhe listën e pritjes për qytetarët e Prizrenit të cilët tani do të kenë një adresë të mirëfilltë për trajtimin e shqetësimeve të tyre shëndetësore, raporton EO.
Gjatë këtyre dy viteve, në Spitalin e Prizrenit janë zhvilluar edhe një numër i madh investimesh. Rinovimi i Klinikës Emergjente, klinikës së Internos, Pulmologji, Infektivë dhe Neurologji.
Blerja e një numri të konsiderueshëm të pajisjeve, përfshirë Laparaskopin dhe CT-n etj.