Në diskutimin për mjedisin dhe shëndetin, me fokus në ndotjen e ajrit u kërkua që të merren hapa konkret në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, si pasojë e së cilës u tha se qytetarët e Kosovës kanë jetëgjatësinë më të ulët në Ballkan, raporton Ekonomia Online.
Aty u kërkua nga shteti, organizatat dhe kompanitë që të organizohen dhe të bëjnë më shumë për ndotjen e ajrit.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se problemet mjedisore janë shkaku kryesor që qytetarët e Kosovës kanë jetëgjatësinë më të ulët në Ballkan.
Ismaili është zotuar dhe tha se është i gatshëm që të bashkëpunojë me mekanizmat konkret për të përmirësuar gjendjen mjedisore.
“Problemet mjedisore që janë të vazhdueshme, janë shkaku kryesor që kosovarët kanë jetëgjatësinë më të ulët në Ballkan. Ndotja e ajrit është ndër sfidat kryesore. Sfidimi i kësaj situate është i domosdoshëm, deri me sot kemi pas koordinim, por mund ta shtojmë që të kemi koordinim më të mirëfilltë. Efekte negative ka kudo, mund të vërejmë në liqene dhe në ajrin që marrim çdo ditë. Kërkohen mekanizma mbi komunal që të organizohen komunat për luftim të kësaj dukurie. Përgjegjësia për ndotjen e ajrit bie mbi shtetin, organizatat dhe kompanitë. Në prezantimin e UNICEF-it është një problem global”, ka thënë Ismaili.
“…Problemi i ndotjes së ajrit është vendos në agjendë publike, kemi shumë për të bërë mirëpo mundësia nga ambasada amerikane për indikacion se çfarë ajri po thithet na ndihmon duke falënderuar Organizatat Botërore të Shëndetësisë. Nevoja e një bashkërendimi rreth cilësisë së ajrit duket ekonomikisht e arritshme, duhet të jetë e bazuar në fakte, të kemi të dhëna të sakta të ndotjes së ajrit. Si ministër jam i gatshëm dhe kam gjetur bashkëpunim me organizatat e institutit të shëndetit publik. Kjo nuk arrihet me një ministri, por që duhet të dimë që kërkon durim dhe shpejtësi”, tha tutje ministri Ismaili.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH), Fatmir Matoshi, tha se gjithë fokusimi po arrin efektin e vet. Ai ka thënë se gjatë kësaj qeverisje ka pasur hapa konkret në përmirësimin e gjendjes mjedisore, duke përmendur ndalimin e thëngjillit në institucionet publike si dhe gjobat për hedhje të mbeturinave.
“Jam i lumtur që gjithë ky fokusim po arrin efektin vet. Jam i lumtur që përgjatë kësaj qeverie janë ndërmarrë disa hapat konkretë dhe të efektshëm siç është ndalimi thëngjillit te institucionet publike dhe në shkolla me ndërpre një praktikë që punëtorëve tu jepet thëngjill si shpërblim dhe besoj që këto të kenë një efekt. Orët e mbrëmjes kemi ajër më të ndotur në Prishtinë kjo po tregon që thëngjilli po vazhdon të bënë efektin e vet. Zëvendësimin e filtrave te Kosova B, të gjitha punët po ecin mirë, presim që përgjatë këtij viti në muajin qershor do të hyjë kontrolli i automjeteve”, ka thënë Matoshi, raporton EO.
“…Kemi edhe mungesë të ujit. Kemi një ndotje të tokës nga mbeturinat në vende të palejueshme. Mbi 600 persona janë dënuar për hedhje të mbeturinave. Kemi edhe një projekt për menaxhimin e mbeturinave me GIZ-in dhe Organizatën Japoneze, kemi 10 milionë euro që kanë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e tokës nga mbeturina”, tha Matoshi.
Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, tha se kjo temë është urgjente dhe esenciale dhe kërkon angazhim nga të gjithë.
“Është kënaqësi të jem këtu, ka shumëçka të thuhet dhe shumëçka u tha, kjo temë është shumë urgjente dhe esenciale. Kur i ke dy ministri është vërtet shumë e mirë. Për ne është me rëndësi dhe po e marrë praktikë të mirë siç është kjo sot. Kemi këtë projekt të përbashkët, është kontribut ndaj kësaj problematike. Ju sigurojë për përkrahje nga ana jonë”, tha ajo.