Ismaili: Rritja ekonomike për vitin tjetër 4.2%, inflacioni deri në 3%

Prishtinë | 28 Dhj 2023 | 12:08 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka bërë prezantimin vjetor të punës për vitin 2023, me ç’rast tha se pavarësisht vështirësive ia kanë arritur që me sukses t’i zbatojnë objektivat e parapara, raporton Ekonomia Online.

Ismaili ka thënë se deri në fund të viti 2023 rritja ekonomike për vendin pritet që të jetë 3.4 për qind, ndërsa në vitin 2024 parashikohet që rritja ekonomike të jetë prej 4.2 për qind.

Sa i përket inflacionit, Ismaili ka thënë se mesatarja për krejt vitin 2023 pritet që të jetë 5.1 për qind. Ai ka thënë se në vitin 2024 pritet që të ketë ngadalësim të rritjes së inflacionit, me norma prej 3 për qind.

Ismaili ka folur edhe për hapat që ka ndërmarr BQK-ja në kuadër të luftës kundër parave të falsifikuara, ku tha se në plan afat gjatë kanë filluar Inicimin për themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftë ndaj Parave të Falsifikuara, për të cilën tha se do të jetë edhe ndihmë nga BE-ja.

“Rritja ekonomike për fund të këtij vit pritet që të arrij 3.4 për qind. Kurse projeksionet tona për vitin 2024-2025 janë 4.2 përkatësisht 4 për qind. Sa i përket inflacionit, në nivelet të viti mesatarja vjetore e inflacionit pritet që të mbyllet me 5.1 për qind. Pritjet pastaj për viti 2024-2025 janë që ky inflacion të zbresë në 3.0 për qind. Importi vazhdon që të jetë dominues. Sa i përket remitencave deri në fund të viti 2023 pritet të arrijnë vlerën prej 1.3 miliard euro”.

“Investimet e huaja deri në fund të shtatorit kanë vlerë 621 milionë euro. Sistemi financiar është 12.38 miliard asete. Janë 136 institucione që licencohen dhe mbikëqyren nga BQK-ja. Depozitat kanë vazhduar me rritje në shumën prej rreth 5,882 miliard euro. Kredit janë një prej mbështetës të ekonomisë, shuma e kredive ka kaluar 4 886 miliardë euro deri në nëntor”, tha ai.

Lidhur me eksportin dhe importin e mallrave e shërbimeve, i pari i BQK-së ka shtuar se për periudhën janar-shtator 2023 vlera e importeve ka arritur në 5 miliardë e 271 milionë euro, kurse e eksporteve ishte 3 miliardë e 61 milionë euro.

“Bilanci tregtar i shërbimeve, vazhdimisht ishte pozitiv dhe deri në shtator 2023 shënoi vlerën 1 miliardë e 398 milionë euro (2,419.9 – 1,021.5) që është për 20.8 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 që ishte 1 miliard e 158.1 milionë euro (2,040.6 – 882.6). Eksporti i shërbimeve për periudhën janar shtator 2023 arriti vlerën prej 2.4 miliardë euro, duke u rritur për 19 për qind, krahasuar me përudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rol kyç në këtë rritje të kësaj kategorie patën të hyrat nga shërbimet e udhëtimit, shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit që kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit”, shtoi Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka treguar se është hera e parë që dërgesat e mërgatës, deri më muajin nëntor 2023, tejkaluan vlerën prej 1.2 miliard eurove.

“Remitancat të pranuara deri në fund të vitit 2023, pritet të arrijnë vlerën prej 1.3 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 10.5 për qind. BQK-ja parasheh që në vitin 2024, këto të shënojnë rritje prej 6.0 për qind dhe 6.1 për qind në vitin 2025”.

Investimet e Huaja Direkte deri në fund të tremujorit të tretë 2023 kanë arritur vlerën e 621.3 milionë eurove, prej të cilave 368.8 milionë euro janë në sektorin e patundshmërisë. Nga parashikimet e BQK-së, IHD-të për vitin 2024 pritet të jenë 792 milionë euro, ndërsa një vit pas planifikohen se mund te arrijnë 846.7 milionë euro.

Sipas Guvernatorit Ismaili, treguesi i kredive jo-performuese (NPL) deri në fund të muajit nëntor 2023 është evidentuar në 2 për qind.

“Gjithsej asetet e sistemit financiar në vend arritën 10.62 miliardë euro, ku pjesëmarrja e bankave është 67.89 për qind, pasuar nga fondet pensionale me 24.96 për qind, IMF-të dhe IFJB-të me 4.33 për qind dhe kompanitë e sigurimeve me 2.83 për qind. Deri në fund të muajit nëntor 2023, depozitat në sektorin bankar ka arritur në 5.88 miliardë euro, kreditë në 4.88 miliardë euro, me një tregues kredi/depozita prej mbi 83 për qind”.

“Treguesi i kredive jo-performuese (NPL) në muajin nëntor 2023 evidentohet 2 për qind, duke qëndruar në të njëjtin normë krahasuar me muajin dhjetor 2022. Kreditë e ndërmarrjeve, të cilat përbëjnë 60 për qind të kredive në sektorin bankar, evidentohen me një normë të kredive jo-performuese prej 2.4 për qind, ndërsa kreditë e ekonomive familjare që përbëjnë 37 për qind të sektorit, kanë normë relativisht të ulët të kredive jo-performuese, pra janë 1.4 për qind. Pra, sektori bankar ka arritur të ketë një menaxhim të kënaqshëm të rrezikut kreditor edhe përmes normës së lartë të mbulimit të kredive jo-performuese me rezervat për humbjet nga kreditë”.

Duke folur për orientimet mbikëqyrëse dhe rregullatore të BQK-së, Guvernatori Ismali ka veçuar se Draft-ligjin e ri për Bankat, institucioni për i lartë financiar në vend do të jetë autoritet për licencim, mbikëqyrje, mbrojtje të konsumatorit dhe autoritet për përmbylljen e bankave.

“Në kuadër të licencimit janë zgjeruar veprimtaritë bankare dhe financiare, kriteret për licencim të veprimtarive dhe pozitave kyçe për qeverisjen e bankave. Mbrojtja e konsumatorit dhe cilësia e shërbimeve financiare me transparence dhe shpalosje te plote, do te jene pjese te rëndësishme te këtij ligji”.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka bërë me dije se BQK-ja gjatë këtij viti është anëtarësuar në Programin e Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) me Thesarin e Bankës Botërore dhe në Sustainable Finance And Banking Network (SBNF).

“BQK-ja ka aplikuar për t’u anëtarësuar në The Network of Central Banks and Supervisors for Greening the Financial System (NGFS) dhe se është duke u bërë përpjekje për anëtarësimin në CEF. Ka pasur marrëveshje për asistencë teknike me BQE-në, FMN dhe bankat e ndryshme qendrore, veçanërisht duhet theksohet bashkëpunimi i BQK-së me Banca d’Italia për Target Instant Payment Settlement (TIPS)”, ka bërë me dije Guvernatori Ismaili. 

Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara, Guvernatori Ismaili para përfaqësuesve të mediave prezentë ka shpalosur edhe disa nga veprimet e marra ndaj dukurisë së parave te falsifikuara në tregun e Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo është një luftë permanente që kërkon angazhim të pandërprerë dhe koordinim ndër-institucional, raporton Ekonomia Online. 

“Ndër masat e ndërmarra se fundi nga BQK, është marr vendim për eliminimin e tarifave të aplikuara deri tani për deponimin e monedhave nga ana e bankave komerciale në BQK duke bartur koston e këtij aktiviteti, në mënyrë që të lehtësohet dhe stimulohet tërheqja nga tregu (deponimin në banka) i monedhave më të vjetërsuara. Po ashtu, është kërkuar nga bankat komerciale që të largojnë tarifat e aplikuara ndaj bizneseve për deponimin e monedhave te bankat, veprime të realizuara gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe furnizimin nga BQK-ja të bankat komerciale me monedha të denominimit 2 (dy) euro të reja, krahas tjerash, për lëshuar në qarkullim të njëjtat”.

Në fund, Guvernatori Ismaili ka prezantuar pikat e Planit Strategjik të BQK-së për vitet 2024-2028, i cili ka pesë shtylla kryesore: Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Stabilitetit Financiar; Ngritja e kapaciteteve, Përkushtimi ndaj personelit, Digjitalizimi dhe Modernizimi i Proceseve; Modernizimi i infrastrukturës së Tregut Financiar dhe Konkurrueshmëria; Avancimi i Mbrojtjes së Konsumatorit, Edukimi Financiar dhe Përfshirjes Financiare; dhe Zgjerimi i Bashkëpunimit, Përfshirjes dhe Ndikimit në Fushat e Përgjegjësisë.

Me këtë rast në këtë ngjarje është bërë edhe ndarja e çmimit tradicional të BQK-së “Ekonomisti i ri”. Fitues të këtij çmimi janë: Qëndres Cuci, Diellëza Mahmuti dhe Agnesa Demolli Mehani.

Të ngjashme