Në Kosovë u shënua dita botërore e Sklerozës Multiple, gjersa u theksua nevoja për më shumë mbështetje institucionale për të prekurit nga kjo sëmundje.
Skleroza Multiple prek trurin dhe palcën kurrizore, duke e shkatërruar mbështjellësin e fijeve nervore.
Simptomat e zakonshme të kësaj sëmundjeje janë: çrregullimi i shikimit, dhembja dhe mpirja e gjymtyrëve, vështirësitë në koordinim, dobësimi i muskujve, lodhja, çrregullimi i disponimit dhe çrregullimi në jashtëqitje dhe urinim.
Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, Dr. Afrim Blyta, tha se ka ardhur koha, që me angazhimin e të gjitha strukturave vendimmarrëse, të bëhet më shumë për sigurimin e terapisë bashkëkohore për trajtimin e Sklerozës Multiple.
“Me energjinë që ekziston sot në vendimmarrje dhe me iniciativën që është marrë nga ana e profesionistëve në sistemin shëndetësor, një iniciativë për trajtimin e kësaj sëmundjeje do të realizohet me sukses në interes të përgjithshëm të pacientëve, që kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha Blyta.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ndërkaq, theksoi se institucionet vendore do të bëjnë gjithçka për të siguruar buxhet, me të cilin do të mbulohej kostoja e trajtimit të Sklerozës Multiple.
“Ministria e Shëndetësisë, përmes hartimit të koncept-dokumentit për sëmundjet e rralla, tashmë ka nisur hapat konkretë për zgjidhjen e problemit të tyre. Ndërkaq, në Listën e re të Barnave Esenciale, jemi angazhuar që të përfshijmë një numër sa më të madh produkteve për të prekurit nga kjo sëmundje që të zbusim barrën e madhe financiare, që kanë pasur për shumë vite ata”, tha Ismaili.
Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ka falënderuar mjekët për punën, ndërsa ka premtuar mbështetje të pakursyer nga menaxhmenti, në mënyrë që trajtimi i Sklerozës Multiple të jetë sa më i suksesshëm.
“Ne, si menaxhment i SHSKUK-së, do të ofrojmë mbështetje të parezervë për stafin shëndetësor, me qëllim që diagnostikimi i personave që vuajnë nga kjo sëmundje, të bëhet sa më herët dhe trajtimi të jetë më i suksesshëm”, tha Sejdiu.
Në Kosovë, nga kjo sëmundje llogaritet të jenë prekur rreth 1.000 persona.